Paraburgim për të dyshuarin që i dha fajde një personi që kishte vështirësi financiare si pasojë e Covid-19
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeje.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri nga data 1 shkurt 2022, ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit, në atë mënyrë që i dëmtuari E.A., për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, është detyruar që të kërkoj para fajde nga i pandehuri, në atë mënyrë që fillimisht ka marrë katërmijë euro me fajde 20% në muaj.
Por sipas Gjykatës, “me pamundësi për t’i paguar shumat e fajdeve është detyruar të merr edhe 3 herë nga dymijë euro dhe një herë gjashtëmijë euro, pra gjithsej gjashtëmbëdhjetë mijë euro, për të cilat ka paguar në emër të fajdeve nga tremijë e dyqind euro në muaj, kështu që brenda një viti ka paguar shumën prej katër dhjetë mijë euro vetëm për fajde, kurse borxhin prej gjashtëmbëdhjetë mijë euro ka mbetur pa e paguar”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.