Kosova sot luan ndeshjen e radhës
Sot me fillim nga ora 17:00, Kosova do ta luajë ndeshjen e kthimit kundër Bosnjë e Hercegovinës në hendboll
“Dardanët” në Tuzlla do të kërkojnë “hakmarrje” për humbjen e pësuar në Prishtinë, me rezultat 22:25.
Por, të matur në deklaratat e tyre ishin boshnjakët. Të shtunën në një konferencën për media folën, ndihmës-trajneri Damir Doboraq dhe hendbollisti i Bosnjë-Hercegovinës, Senjamin Buriq.
Doboraq tha se nuk duhet të nënvlerësohet kombëtarja e Kosovës, shkruan avaz.ba.
“Jemi të gatshëm për ndeshjen e të dielës. Ne e kemi analizuar ndeshjen që e kemi luajtur në Prishtinë. E kemi zhvilluar një stërvitje të përbashkët para udhëtimit. Jemi të lumtur me fitoren nga ndeshja e parë, por nuk duhet ta nënvlerësojmë kombëtarën e Kosovës. Ata kanë kohë që luajnë bashkë gjë që u pa në ndeshjen e parë. Fituam dy pikë të rëndësishme dhe nesër duhet ta përsërisim lojën në mbrojtje dhe shpresoj që të jemi më të lirë në tranzicion apo në pjesën sulmuese”, tha ai.
Lojë të vështirë pret edhe hendbollisti Senjamin Buric, përkundër fitores në lojën e parë, 25:22 në Prishtinë.
“Jam i lumtur që e arritëm fitoren e parë në eliminatore, por jemi të kënaqur edhe me lojën që bëmë. Edhe nesër e pres një ndeshje të vështirë sepse Kombëtarja e Kosovës nuk është për t’u nënvlerësuar. Në përgatitje e ndoqëm ndeshjen e tyre me Slloveninë në të cilën ata patën rezultat të barabartë deri në minutën e 50-të dhe e dimë se Sllovenia është në krye të hendbollit evropian”, u shpreh Buriq.
Boshnjakët konsiderohen si favoritë në grupin e 7-të për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2024 që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.