Hasani: Shpallemi kampionë dhe fitoj ‘Këpucën e Artë’

13 mars 2023 | 15:34

Florent Hasani ishte heroi i kësaj Tirane me dy golat e shënuar ndaj Laçit, duke u ngjitur në krye të listës së golashënuesve të kampionatit me 11 rrjeta të realizuara, po aq sa edhe Xhixha, që u largua nga bardheblutë në merkaton e janarit.

Në intervistën e dhënë për “PanoramaSport” pas ndeshjes, sulmuesi shprehet i kënaqur për tri pikët dhe vendin e parë do të përpiqen të mos e lëshojnë më. Hasani po e mendon edhe “Këpucën e Artë”, por më kryesorja për të është realizimi i objektivave me skuadrën. I pëlqen të mbajë presionin mbi supe, në një kohë kur nuk preferon t’i vendosë vetes objektiva personale.

Shënuat dy gola të rëndësishëm, duke i dhënë tri pikët skuadrës, si ndiheni?
Ishin dy gola të rëndësishëm, por më e rëndësishme ishte fitorja e ekipit, pasi treguam karakter pas humbjes në derbi. Ishte e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje, por tani do të fokusohemi në Kupë dhe t’i shohim takimet një e nga një. Pas ndeshjes më uroi dhe Xhixha për dy golat, edhe pse më vjen keq që e barazova.

Ndalet Partizani dhe rimerrni kreun. Sa mendoni se do ta mbani këtë pozicion?
Nëse luajmë si në pjesën e parë mendoj se do ta mbajmë këtë pozicion. E kemi kualitetin në skuadër dhe me këtë fitore është rikthyer edhe besimi, ndaj shpresoj që të vazhdojmë kështu dhe ta mbajmë këtë pozicion.

Ishit në avantazh dhe të qetë dhe më pas rrezikuat ndeshjen. Çfarë ndodhi në pjesën e dytë?
Nuk e di, ishte ndoshta moment shpërqendrimi i yni dhe e vumë veten në siklet ku e rrezikuam pak fitoren. Por, mirë që përfundoi 3-2 dhe morëm këtë fitore.

Shkoni në 11 gola, aq sa edhe Xhixha, duke qenë golashënues i kampionatit. Shpresoni ta fitoni edhe “Këpucën e Artë”?
Tani jam në këtë pozicion dhe do të mundohem të mos e lëshoj dhe ta fitoj “Këpucën e Artë”. Por, siç e thashë edhe më herët më e rëndësishme është fitorja e ekipit dhe t’i marrim fitoret jo vetëm nga golat e mi, por edhe golat e tjerë. Të ruajmë vendin e parë dhe të shpallemi kampionë, ky është objektivi im, por meqë jam në këtë pozitë do të luftoj edhe për “Këpucën e Artë”.

Sa rritet presioni tani te ju duke qenë sulmuesi kryesor te Tirana?
Nuk e kam problem, më pëlqen presioni që të jetë tek unë. Shpresoj që me ndihmën e lojtarëve së bashku me stafin të dalim kampionë. Por, e theksoj se duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Ndeshja e radhës me Bylisin, që pretendon qëndrimin, si e shihni?
Bylisi pretendon qëndrimin, ne duam të mbajmë vendin e parë, ndaj do të jetë ndeshje e vështirë. Dihet që është një terren i vështirë, por do të përgatitemi maksimalisht dhe si në çdo ndeshje do të shkojmë për tri pikë.

Keni një objektiv personal për golat këtë sezon?
Nuk i kam vënë vetes objektiv personal për gola. Shpresoj që të vazhdoj me këtë formë të mirë të ndihmoj ekipin dhe të shohim deri në fund se me sa do të përfundoj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në takimin e parë zyrtar me ambasadorin e ri të…