La Repubblica: Në 5 vitet e para të “mbretërimit” të Ramës emigruan 260 mijë shqiptarë

14 mars 2023 | 08:27

Media italiane “La Repubblica” ka botuar së fundmi një analizë sa iu përket problematikave të mëdha me të cilat përballet Ballkani.

Mes shteteve të tjera media italiane ka shkruar edhe për vendin tonë, ku thuhet se një problem shqetësues është emigrimi.

Artikulli i plotë

Ndërsa presin që periudha e pafund e pasluftës të përfundojë, shumë vende të Evropës Lindore ende jetojnë mes korrupsionit, rivalitetit dhe përplasjeve. Popujt e e gjejnë veten të bashkuar nga një qëllim i vetëm, të emigrojnë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama qeveris një vend të torturuar nga korrupsioni dhe varfëria, por gjen kohën të vizitojë ish-presidentin kosovar Hashim Thaçi në burg, ish-komandant i partizanëve shqiptarë të UÇK-së dhe i akuzuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Nuk është rastësi që nga samiti në samit, Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë jashtë derës Ballkanin Perëndimor. Por çështja është tjetër: ndërsa presin të kalojë periudha e pafund e pasluftës, gjithnjë e më shumë boshnjakë, serbë, shqiptarë dhe kroatë e kthejnë faqen duke emigruar.

Sipas Kombeve të Bashkuara, vetëm Guajana ka një përqindje më të lartë të banorëve jashtë vendit sesa Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Emigrimi çoi në uljen e popullsisë në moshë pune të Ballkanit Perëndimor me mbi 400,000 banorë nga viti 2016 në 2020.  Popujt e ndarë nga gjithçka i bashkon dëshira për t’u larguar. Qeveria e Beogradit ankohet se Serbia po humbet “një qytet në vit”, instituti statistikor vëzhgon me shqetësim se si popullsia ka rënë me 10 për qind në dhjetë vjet, në Bosnje Hercegovinë, Hulumtimi i Kombeve të Bashkuara zbulon se 72 për qind e të rinjve mendojnë se jetojnë në një vend “strukturalisht të korruptuar”, nga i cili pothuajse gjysma duan të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Qindra mijëra i shpëtojnë varfërisë, korrupsionit, ndotjes. Dhe nëse në të kaluarën largoheshin kryesisht punëtorët, sot burra e gra, punëtorë e të diplomuar nisen.

“Në vitet ’90 të rinjtë tanë u larguan plot shpresë për të ardhmen”, thotë Afrim Krasniqi, politolog në Universitetin e Tiranës. “Sot njerëzit emigrojnë sepse kanë humbur çdo shpresë në vendin e tyre”, shprehet ai.

Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë të pamëshirshme. Bosnja është e destinuar të humbasë 60 për qind të banorëve të saj në pesëdhjetë vitet e ardhshme, Shqipëria 66 për qind deri në fund të shekullit.

Por nuk duhet të fokusohemi në dekada: “Në paralelet e mia në vitin 2010 kam pasur njëqind nxënës, sot dhjetë”, thotë Krasniqi.

Nga ana tjetër, kurset e mjekësisë dhe infermierisë janë mbushur me studentë që tashmë e kanë në xhep biletën e largimit. Pesë mijë punonjës shëndetësorë shqiptarë janë punësuar vetëm në tre vitet e fundit dhe vetëm në Gjermani.

Agjencia Eurofound ka hetuar mirëqenien ekonomike të punëtorëve evropianë. 5 për qind e danezëve e kanë të vështirë të përballojnë bukën e gojës, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është 69 për qind. Gjithçka kërkon arratisje.

Edhe pse kryeministri Edi Rama vazhdon të gëzojë mbështetjen e Bashkimit Europian, vetëm në pesë vitet e para të “mbretërimit” të tij 260 mijë shqiptarë emigruan në Europë.

Dhe në vitin 2021 rifilloi fluksi me 42 mijë largime.

“Rama pëlqehet sepse garanton stabilitet, por shqiptarët nuk dinë çfarë të bëjnë me stabilitetin”, komenton Krasniqi.

Sa i përket Evropës, ajo na paralajmëron për ndikimet ruse dhe kineze, por nuk bën asgjë për të kundërshtuar emigracionin, ajo duket e favorshme në eksodin e fuqisë sonë punëtore të kualifikuar.

Për vite me radhë, Bashkimi Evropian dukej se ishte ilaçi për të gjitha sëmundjet. Por pas kaq periudhës së mosvancimit, askush nuk mendon më njësoj. Në Shqipëri zgjedhjet e 2021 ishin të parat në të cilat nuk u fol për Europën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cikloni shkatërrues Freddie, i cili ka goditur Afrikën Jugore, ka…