NJË RAPORT KUNDËRSHQIPTAR SI AI I DIK MARTIT!

14 mars 2023 | 11:16

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nga kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022)

Shkruan: Kudusi Lama

1. Arsyetim

Të shfrytëzosh funksionin që ke dhe dijen që ke, të cilat i ke marrë nga populli yt, për ta sulmuar e përdhosur popullin tënd, për ta kriminalizuar historinë e popullit tënd, në emër të popullit tënd, nuk është as etike, as funksionale, as intelektuale, as profesionale, as logjike, as qytetare.
Të urresh është krejt normale, por të urresh atë që të ushqen, që të mban të sigurt dhe që të krijon perspektivën e jetës është djallëzore.
Një gjykatë naziste, që ka dalë nga shinat dhe rrokulliset në humnerën e kundërligjit për interesa të kundërpolitikës, po na e dënon historinë më të lavdishme të atdheut e kombit. Këtë e kam kuptuar, por që një akademik, të marrë atributet e një gjykate kundërkombëtare për ta kriminalizuar historinë e kombit të cilit i përket për nga vendlindja dhe gjeneralitetet, kjo është shumë e dhimbshme.

E, prej këtej lind pyetja: A kemi nevojë vërtet për një raport numër dy të Dik Martit, të shkruar tashmë jo nga serbët, por nga një akademik shqiptar, për të na e dënuar krejt historinë, sepse raporti numër një, na e ka dënuar veç Luftën Çlirimtare të Kosovës? Është shumë e dhimbshme të flitet me papërgjegjësi dhe me përbuzje e urrejtje për gjithçka, për një kohë, për një komb, për një popull, për një atdhe, të cilëve u përket, sikur je një gjysh analfabet që nuk kupton asgjë nga çfarë është vlerë dhe çfarë antivlerë, çfarë është interes dhe çfarë kundërinteres, çfarë është shkencore dhe çfarë është politikë e rrugës etj.

Në këtë pozitë vlerësojmë se ka rënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Dhe, po t’i referohemi titullit të shkrimit të tij dhe adresës, rezulton se nuk është e saktë. Aty shkruhet: Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor – Analizë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E, duke lexuar përmbajtjen e këtij shkrimi, gjithkush do të pyeste: Ku qëndron e reja në këtë shkrim? Cili është zbulimi? Cila është analiza? Çfarë është përftimi kombëtar nga ky punim? Po përftimi ballkanik, cili është?

Duke lexuar shkrimin kuptohet se thjesht janë renditur disa copëza historie, të cilat i ka vënë në evidencë gjithkush që ka shkruar diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por edhe ato janë paraqitur sikur i paraqesin serbët. Janë paraqitur sikur synimi i tyre është të tremben shqiptarët dhe të rrinë larg serbëve, sepse mund të kenë pasoja. Çudi më duket të shkruhet me këtë frymë!

Po kështu, ky punim emërtohet analizë? Po ku është analiza këtu? Çfarë faktorësh analizohen, peshohen, ballafaqohen, arsyetohen, për të nxjerrë një përfundim? Çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh paraqiten dhe si do të trajtohen ato për ta bërë situatën më të favorshme për shqiptarët? Për problematikat që duhet të shtrohen në një analizë e që nuk janë shtruar, duhet përcaktuar edhe cilat janë pikat e forta, cilat janë mundësitë, cilat janë dobësitë, cilat janë sfidat dhe si duhen zhvilluar të gjitha këto në interes të forcimit të sigurisë e të zhvillimit të vendit: Ku janë këto në atë shkrim?
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, analizë është: ”Një metodë studimi me të cilën e tëra zbërthehet në pjesët e veta përbërëse, me qëllim që të zbulohet ndërtimi i së tërës dhe lidhjet ndërmjet pjesëve. Shqyrtimi i një çështjeje duke zbërthyer dhe duke vështruar nga të gjitha anët me imtësi.”

Derisa analizoj është: ”Shqyrtoj një çështje duke e zbërthyer e duke e parë nga të gjitha anët.” Çka do të thotë se duhet të arsyetohet me përbërës konkretë dokumentesh, shqyrtimesh, përfundimesh, dëshmitarësh, studimesh, tezash, zbërthimesh, vështrimesh, shkaqesh, vetish, konsultash dhe ballafaqimesh, për të ardhur në një përfundim të pranueshëm dhe me vlerë për fushën në të cilën bëhet analiza përkatëse.
Ndërsa në punimin: Analizë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me titull: Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin perëndimor, nuk vërehet asgjë nga ato elemente të analizës dhe nuk ka asgjë që të mos jetë e njohur e botuar dhe e publikuar me dhjetëra herë.

Përveç që më ngjason si një kopje e dy memorandumeve të Beogradit: Memorandum i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve – i vitit 1986 dhe Memorandum i Kishës serbe për Kosovën – i vitit 2003. Këto dy memorandume dhe kjo analizë ngjasin si dy pika uji veçse me ndryshimet e domosdoshme për përkatësinë e autorëve dhe kohën “e deklarimit”. Kështu që kjo analizë mund të ishte një memorandum, që në kuptimin shqip do të thotë: qëndrim për një çështje të caktuar.
Por edhe ky qëndrim për çështjet e sigurisë, siç pretendohet, duket se është shumë i shpërqendruar, sikur të jetë punuar duke mos ditur çfarë të thuhet. Duket sikur është dëshiruar për t’u marrë me gjithçka e për të mos thënë asgjë. Sikur nuk është kuptuar as objekti i asaj për të cilën është dëshiruar të flitet e shkruhet.

2. Shkrim që nuk thotë asgjë të re

Që në fillim thuhet: ”Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.” Referuar këtij citimi lindin pyetjet e thjeshta: Përse politikat e Serbisë qenkan bërë agresive në këtë kohë, a nuk ishte Serbia që diktoi katër luftëra vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të 20-të? Cilat janë arsyet që Kosova, Ballkani Perëndimor dhe rajoni, Europa e bota nuk e shohin dhe nuk e vlerësojnë këtë politikë agresive të Serbisë? Çfarë zbulohet me këtë studim diçka që nuk e dinë politikat e Kosovës e të gjithë Europës? Dhe, pse këto politika të Serbisë qenkan bërë agresive pas viteve ’80 të shekullit të kaluar, kaq paqësore e të sigurta paskan qenë këto politika para këtyre viteve?

Nëse ky shkrim do të kishte thënë diçka për këto çështje, duke dhënë argumente për ta vënë Kosovën, botën dhe gjithë shqiptarët përpara një pasqyre të asaj që ata nuk e njohin, do të kisha thënë se vërtet ia vlen.

Po kështu, në hyrjen e këtij punimi thuhet: ”Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme.” Duke u marrë me këtë shkrim nuk arrij të shikoj dhe të kuptoj se cilat janë rrethanat që qenkan krijuar e që kanë qenë të panjohura deri tani dhe që duhen të mësohen? Nuk arrij të kuptoj ku është analiza e shkaqeve, cilat konsiderohen rrënjët e konfliktit, si dhe cila konsiderohet prapavijë e kësaj situate, që qenka krijuar dhe e cila paska mbetur e panjohur deri tani.

Mesazhet e pasigurisë së politikave të Serbisë për fqinjët e njëkohësisht edhe për shqiptarët, i njohim prej vitit 1846 kur Ilia Garashanini përpunoi ”Naçertanian”, si dhe në programet e vijueshme e edhe prej kur në vitin 1986 është deklaruar Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, nëpërmjet të cilit na janë thënë të gjitha për atë politikë destabilizuese. Që në atë program është thënë se ”…kriza politike i është afruar pikës kritike të destabilizimit të plotë të Jugosllavisë. Kosova është shenja më e dukshme e saj.” Prej nga shihet se Kosova ishte barometër i ekzistencës së Jugosllavisë, sepse e kishin shumë të qartë se ishin në tokë të huaj dhe po sundonin një popull me të cilin nuk i lidhte asgjë, përveç faktit që e kishin të pushtuar.

3. Përfundime pa arsyetime

Por pa dashur të zgjerohem më tej për këtë, më çudisin përfundimet që nxirren që në fillimet e këtij shkrimi kur thuhet: ”Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.” Sepse për të ardhur në këtë përfundim kaq madhor, duhet të marrësh referencë studime të bëra nga institute e organizata të fuqishme shkencore jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe në hapësirat botërore, duhet t’u referohesh vendimeve e organizatave ndërkombëtare, duhet të referohesh në vendimet e gjykatave për këto çështje, duhet të referohesh në bilance të shteteve e pasqyrave të veprimtarive ndërshtetërore, duhet të mbështetesh në konferenca, simpoziume e tryeza shkencore të vendit e të huaja etj. Por thjesht të thuash se kanë ngecur reformat dhe demokratizimi, se janë krijuar kriza të njëpasnjëshme politike, se korrupsioni dhe krimi i organizuar ka përfshirë shoqëritë ballkanike dhe të gjitha këto veç se them unë (siç thotë autori i këtij raporti në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës), më duket e paarsyeshme dhe humbje e rëndë e autoritetit të institucionit që merret me shpifje të tilla.

Dhe, më tej, për çudi qenka krijuar një mjedis i përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia. Po pse ky përfundim? A ka fakte të arsyetuara që ka ndodhur një gjë e tillë? Pse nuk hiqet kjo perde të shohim edhe ne atë çfarë shikon kjo Akademi e shkencave dhe autori i raportit?

Unë di se në qershor të vitit 1999, forcat ushtarake ruse tinëzisht u futën në Kosovë dhe e pushtuan në një mënyrë Aeroportin e Prishtinës. Por brenda tri ditëve u detyruan të ikin nga sytë këmbët. Dhe, në atë kohë ishim shumë më të dobët se sot. Çfarë ka ndodhur, pra, që e ka trembur kaq shumë Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Nuk shoh asnjë rrezik të tillë.

Por raporti nuk ndalet me evidencimin e të këqijave të shoqërisë ballkanike e mëtej, pasi në vijim theksohet: ”Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë. Po krijohen koalicione të panatyrshme, të cilat në mënyrë strategjike i kundërvihen BE-së në planin ekonomik dhe politik, kurse NATO-s në planin e sigurisë. Këto koalicione janë duke suspenduar reformat e BE-së, në të cilat kanë ngecur këto shtete dhe janë duke siguruar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon, për të realizuar politikat e saj strategjike, kryesisht të nxitura nga Rusia.”

Nga nxirren përfundime të tilla? Sepse kështu si paraqiten ato, janë thjesht deklarata. Nuk është dhënë qoftë edhe një arsyetim apo ankesë nga BE-ja se keqqeverisja në Ballkanin Perëndimor po e largon atë nga politikat e saj. Po kështu dihet se Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të BE-së, ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë kërkesa të jenë në përbërje të BE-së dhe po punojnë me intensitet për të përmbushur të gjitha kërkesat që kjo organizatë u ka vënë për të kryer si detyra paraprake për të mundësuar pranimin në organizatë.

Ashtu sikurse nuk është e mundur të mendohet e të deklarohet se shtetet e Ballkanit Perëndimor po i kundërvihen NATO-s në planin e sigurisë, kur dihet se NATO-ja sigurinë e ka për mision dhe në Ballkanin Perëndimor ka anëtarë të saj Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, por edhe Slloveninë. Ndërsa po të merret si shembull Kosova, duhet thënë se ajo është akoma më e avancuar, pavarësisht se nuk është juridikisht anëtare e NATO-s, por Kosova NATO-n e ka ushtri të saj, sepse realisht sot ushtri e Kosovës është edhe KFOR-i, krahas Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila po merr përmasat e një ushtrie plotësisht sipas standardeve të NATO-s.

E, siç shihet, vetëm Serbia ende nuk është anëtare e NATO-s, megjithëse do të kishte shumë dëshirë të ishte, ashtu si do të kishte shumë dëshirë të ishte anëtare e BE-së, dhe këto shihen në lojën e saj politike.

4. Frika e madhe prej Serbisë nuk ka bazë të qëndrojë

Pse, pra, gjithë ky shqetësim e gjithë kjo frikë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Mirë, ndoshta kanë frikë për vete, por, përse duhet të bëhen përpjekje të frikësohen shqiptarët? Çfarë borxhi u kanë? Nuk mendoj se me përpjekje për të bërë të diturin duhet të merremi me montime thashethemesh të kafeneve dhe me paragrafë të historisë se çfarë mendojnë serbët për shqiptarët e për trojet shqiptare, sepse ato janë të stërthëna. Me rëndësi është që ne të kemi një program të interesave kombëtare, ashtu siç i bën Serbia për vete, sepse kemi mbetur akoma në programin kombëtar të Sami Frashrit, ”Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, të publikuar para 120 vjetësh.

Prandaj nuk e shoh të arsyeshme t’u themi shqiptarëve trembuni nga Serbia. Duhet t’u themi se Serbisë ia kemi parë bishtin në vitin 1999 dhe nëse do të guxojë, ne jemi ata që ia shohim bishtin përsëri e përsëri. Por raporti nuk ndalet duke bërë thirrje për t’u trembur nga Serbia! Dhe, këtë nuk e bën vetëm për shqiptarët, nuk e bën vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke vlerësuar se Serbia synon ”…të krijojë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor të Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së…” – krijohet kështu ideja sikur të shpresojmë të mos dojë Serbia, se po iu shkrep në mendje asaj, ne kemi marrë fund. Jo kështu, nuk është serioze të bëjmë deklarata të tilla. Nuk ka fuqi as Serbia e askush tjetër të lëkundë a të kërcënojë politikat e BE-së apo të bëjë të pasigurt Ballkanin Perëndimor.

Dhe më tej në këtë raport lexojmë: ”Tashmë është bërë praktikë e njohur e Serbisë që, sa herë që krijohen “çarje” të mëdha ose të vogla me Perëndimin, ose të ketë ngecje në avancimin e marrëdhënieve me BE-në, përfshirë edhe ndonjë ngecje në ndihmat financiare që përfiton nga BE-ja, Serbia gjen mënyrë ta shantazhojë NATO-n dhe BE-në, duke forcuar aleancat me Kinën dhe Rusinë, veçmas me Rusinë, herë duke i bërë shtetit rus ndonjë koncesion ekonomik ose tregtar, por më shpesh me marrëveshje ushtarake ose kontrata milionëshe për blerje armësh. Në përgjithësi, të gjithë faktorët politikë rajonalë dhe europianë tashmë e kanë kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të interesave të tyre strategjike, por tanimë është bërë krejt e qartë se këto koncesione kanë filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përreth tij.” Përsëri befasi! Serbia ka fuqi jo vetëm të na fundosë ne shqiptarëve, jo vetëm të shkatërrojë Ballkanin Perëndimor, por ka fuqi të vlerësojë edhe problemet dhe hatërmbetjet brenda BE-së dhe pas kësaj me fuqinë e saj Serbia arrin të shantazhojë edhe NATO-n e edhe BE-në. Ore, seriozisht e keni këtë, zotërinj akademikë?

Unë e di se këtij raporti i ka dalë për zot kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademiku Mehmet Kraja, por po flas në shumës, sepse në internet akoma figuron si raport i asaj Akademie. Prandaj nuk dua të keqkuptohem a të keqinterpretohem, sepse qëllimi im është thjesht të sqaroj çështjet që vlerësoj se duhen parë me syrin e realitetit e jo me ndjenjën e frikës.
Është mirë të mos shkojmë me mendimin se Serbia mund të bëjë si të dojë me NATO-n e me BE-në, sepse nuk merremi seriozisht, pa folur që nuk ka asnjë argument për të arsyetuar deklarimet e këtij raporti. (VIJON)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin…