![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/03/napoli-1.jpg)
Napoli shkruan historinë në Ligën e Kampionëve, ëndrrat janë të mëdha
Napoli shkruan historinë në Ligën e Kampionëve, për herë të parë kualifikohet në fazën çerekfinale, por askush nuk dëshiron të ndalet këtu, ky është viti perfekt për të ëndërruar për gjëra të mëdha.
Ekipi i Luciano Spallettit zhvilloi një ndeshje fantastike përballë Frankfurtit, fitojnë edhe në “Maradona” me rezultatin e pastër 3-0. Victor Osimhen ishte njeriu i ndeshjes, autor i një dygolëshi. Në limitet e pjesës së parë, Osimhen realizoi një gol shumë të bukur me kokë, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë me portën e boshatisur. Për të kompletuar mbrëmjen perfekte mendoi Zielinski që realizoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë.
Trajneri Spalletti nuk e fsheh gëzimin për këtë arritje të madhe: “Ky është një rrugëtim i madh, nuk kishim arritur kurrë kaq larg, është një rezultat i madh që duhet ta shijojmë së bashku me tifozët tanë”.
Ndërsa sulmuesi në topformë Victor Osimhen është shprehur: “Është shumë bukur të japësh kontribut në këtë skuadër. Kemi bërë një ndeshje të madhe, vijojmë të ëndërrojmë pasi jemi një ekip i madh me një trajner të madh, mund t’i shkojmë deri në fund”.