Rohde: Me një rezultat ideal në dialog, mosnjohësit do ta njohin Kosovën

16 mars 2023 | 14:53

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Në një intervistë dhënë “Radios Evropa e Lirë”, ai inkurajon udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Në mungesë të konstruktivitetit nga palët, Rohde përmend mundësinë e sanksioneve nga BE-ja.

Rohde, po ashtu, thotë se dy vendeve i janë premtuar edhe investime shtesë si shpërblim për konstruktivitet në dialog.

Ai thotë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit”.

Ai po ashtu tha se, pa njohje, nuk e sheh ndonjërin vend në BE.

“Është diskutuar edhe më herët se ka disa vende që nuk e njohin (Kosovën) brenda Bashkimit Evropian. Kam shumë shpresë dhe në vazhdimësi jemi në kontakt me ta. Kam shumë shpresë që një rezultat pozitiv më 18 mars do të zhbllokojë edhe mosnjohjet. Nuk ka garanci, por nuk shoh ndonjë arsye për mosnjohje kur vetë dy shtetet [Serbia dhe Kosova] kanë njohje de facto mes vete”, ka thënë Rohde.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mënyra më e mirë për të mbrojtur Moldavinë nga një…