Ish-ministri i Financave të Katarit akuzohet për ryshfet dhe pastrim parash

19 mars 2023 | 14:42

Një prokuror në Katar ka ngritur padi penale kundër ish-ministrit të Financave të këtij vendi, Ali Sherif al-Emadi, ka njoftuar të dielën agjencia shtetërore e lajmeve.

Emadi dhe një numër i paspecifikuar i të tjerëve akuzohen për ryshfet, shpërdorim të pozitës dhe pushtetit, dëmtim të fondeve publike dhe pastrim parash, ka njoftuar Agjencia e Lajmeve të Katarit (QNA).

Ali Sharif al-Emadi ishte arrestuar në maj të vitit 2021 me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të parave publike dhe u lirua nga detyra.

Pas zbulimit të skandalit, emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, e kishte shkarkuar Ali Sharif Al Emadi nga detyrat e tij si Ministër i Financave, ku më pas e kishte caktuar Ali Bin Ahmed Al Kwari, i cili ka shërbyer më parë si Ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Prokurori i Përgjithshëm kishte urdhëruar arrestimin e ministrit të Financave Ali Sharif al-Emadi për t’u marrë në pyetje me akuzat për krime në sektorin publik, përvetësim dhe shpërdorim detyre.

Al-Emadi ishte emëruar në Ministrinë e Financave në vitin 2013, ndërsa shërbente si kryetar i bordit të linjës ajrore shtetërore “Qatar Airways” dhe kryetar i bordit të Bankës Kombëtare të Katarit (QNB), huadhënësi më i madh në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Ai ishte ulur edhe në bordin e fondit të fuqishëm të pasurisë sovrane prej 300 miliardë dollarësh, Katar Investment Authority (QIA).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej ditësh tashmë aludimet se Lionel Messi mund të vazhdojë…