Llapi barazon në ‘frymën e fundit’ ndaj Gjilanit, Ballkani barazon në udhëtim te Ferizaj, Trepça’89 shënon fitore ndaj Dukagjinit

19 mars 2023 | 15:31

Gjilani nuk ka arritur ta mbajë rezultatin deri në fund të takimit duke barazuar me Llapin 2:2, në anën tjetër Ballkani ka dështuar sërish ta gjejë fitoren përball Ferizajt duke barazuar pa gola, ndërsa Trepça’89 e ka mposhtur Dukagjinin me rezultat 2:1.

Skifterët ishin duke fituar deri në fund të takimit por një gol i Riveiras iu prishi punë atyre, ndërsa kampioni në fuqi Ballkani dështoi ta marrë vendin e parë duke parë gabimin dje të liderit, Dritës, teksa Trepça’89 me fitoren ndaj klinasve ka arritur të largohet nga zona e rrezikshme.

Gjilani – Llapi

Ndeshja e zhvilluar në Gjilan në fushën me bari sintetik, ishte një takim i balancuar me dy skuadrat që ishin aktive, me pjesën e parë që kishte më shumë aksione të rrjedhshme.

Përkundër dy lëndimeve të lojtarëve me përvojë si mbrojtësi Egzon Sinani e mesfushori Albert Dabiqaj, Gjilani sërish ia doli të zhvillonte lojë të bukur.

Goli i parë në këtë takim u shënua mjaft herët, me anë të kapitenit Dabiqaj që shënoi me kokë pas një asistimi të Elton Cale në minutën e pestë për epërsinë 1:0 të Gjilanit.

Llapi reagoi shpejt dhe në minutën e 16-të u arrit barazimi me anë të Fernandinhos nga një gjuajtje e lirë.

Llapi në vazhdim pati edhe dy raste të mira deri në përfundim të pjesës së parë, fillimisht goditja e Firimino u ndal nga shtylla e më pastaj Trimror Selimi tentoi por u ndal nga Enea Koliçi.

Pjesa e dytë ishte më pak aktive dhe u shënua vetëm një gol. Ishte Shend Kelmendi që shënoi në minutën e 61-të pas asistimit të Oltion Bilani, për rezultatin 2:1.

Për barazimin e rezultatit u përkujdes Riveira në minutat e fundit të takimit.

Skifterët vazhdojnë të qëndrojnë në pozitën e tretë edhe pas barazimit, ndërsa Llapi rrëmben pozitën e pestë nga Dukagjini.

Ferizaj – Ballkani

Kampioni në fuqi Ballkani po has në vështirësi të mëdha në ndeshjet e fundit, pasi në pesë ndeshjet e fundit nuk di për fitore, teksa u eliminua në çerekfinale të kupës prej Prishtinës në mesjavë.

Barazimi me Ferizajn nënkupton që suharekasit do të mbesin në pozitën e dytë, pa e shfrytëzuar gabimin e Dritës dje.

Ndeshja e zhvilluar në Ferizaj ashtu siç pritej me Ballkanin që kishte më shumë nga ndeshja, por që ato pak raste të krijuara nuk u konkretizuan në gol, teksa edhe ferizajasit rrezikuan një herë në pjesën e parë, por që goditja u ndal nga portieri Damir Luljanovic, raporton “Nacionale”.

Ferizaj me këtë barazim zbret sërish në pozitën e nëntë në tabelë, vend ky që dërgon në Ligën e Parë të Kosovës.

Trepça ’89 – Dukagjini

Mitrovicasit kanë shënuar fitore të madhe në garën për mbijetesë ndaj Dukagjinit duke fituar me rezultat 2:1.

Trepça ’89 e filloi shumë mirë takimin duke shënuar gol në minutën e gjashtë me anë të Oyekanmit.

Skuadra nga Mitrovica vazhdoi të kishte më shumë nga ndeshja, teksa dyfishimin e epërsisë e arriti vetëm në minutën e 80-të me anë Ardian Mujës që e mposhti me parabolë Kenan Haxhihamzën.

Krejt çka arriti të bënte në këtë takim Dukagjini ishte goli në minutën e 84-të për rezultatin 2:1, që ishte autogol nga Haliti.

Dukagjini zbret në pozitën e gjashtë me këtë humbje, ndërsa Trepça ’89 përkohësisht është larguar nga zona e rrezikshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është themeluar nëndega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në…