Blinken mirëpret marrëveshjen për zbatimin e propozimit evropian

20 mars 2023 | 11:30

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Blinken përmes një deklarate.

Kryediplomati amerikan përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për lidershipin e treguar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Blinken.

Kurti dhe Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 18 mars u pajtuan për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Në këto negociata, që u mbajtën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Bashkimi Evropian tha se palët në takimin e Ohrit nuk e nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen, por u pajtuan që ta zbatojnë atë.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar më 27 shkurt për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 16 marsi 2023, asnjë automjet nëpër rrugët e Kosovës…