Ideali i lirisë i dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj

22 mars 2023 | 09:42

Prof. dr. Nusret Pllana

(Afrim Hysenaj, Bekimi, luftëtari i bekuar, “Armagedoni”, Prishtinë, 2022)

Hyrje

Konteksti historik, ku e ka vendosur autori i monografisë Bekimi, luftëtari i bekuar, Afrim Hysenaj, rrëfimin e ngjarjeve për dëshmorin e kombit Bekim Hysenaj, është ende i freskët, është vetëm pjesë e tërësisë së hapësirës kom­bëtare, historia e së cilës ende nuk po shkruhet e plotë. Më në fund, është çështje e rrjedhës së ngjarjeve historike në jetën e popullit shqiptar, që nga koha e copëtimit të tokave shqiptare nëpër konferencat ndërkombëtare, që ia plotësonin kërkesat Rusisë dhe simotrës së saj, Serbisë, në dëm të jetës historike të popullit shqiptar.

Autori e ka shtrirë lëndën e monografisë së tij, kushtuar dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj, në shtatë kapituj. Në secilin prej tyre ka mëtuar që të shtresojë në shtatin e monografisë së tij të dhëna dhe fakte që, sipas tij, janë reale dhe të pakundërshtueshme.

Në të vërtetë, rënia e dëshmorëve të kombit në altarin e lirisë është e vërteta më e saktë historike, andaj vetëm ata nuk kanë nevojë për dëshmi, për dëshmitar, për fakte arkivore, për rrëfime me gojë, siç nuk kanë nevojë as për pelegrinazhe të atyre që, kur kishte nevojë atdheu, nuk dhanë një pikë gjak dhe nuk derdhën një qindarkë për të, siç do të thoshte para më shumë se një shekulli Sami Frashëri. 

Pesha historike e ngjarjeve që kanë përgatitur ardhjen e UÇK-së

Autori i monografisë kushtuar dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj ka prekur vetëm disa nga ngjarjet e rëndësishme që kanë lënë gjurmë në jetën historike të popullit shqiptar. Duke trajtuar metodat e shkombëtarizimit që përdorte pushtuesi serb ndaj shqiptarëve që kishin mbetur nën ish-Jugosllavinë, autori konstaton me të drejtë se qëndresa dhe përpjekjet për liri të shqiptarëve asnjëherë nuk kishin pushuar. Në këtë rrjedhë të ngjarjeve autori ka prekur edhe mënyrën e shprehjeve të pakënaqësisë kundër push­tuesit, siç ishin lëvizjet e fshehta të shqiptarëve në Kosovë, burgosjet e gjata të veprimtarëve atdhetarë, si Adem Demaçi e Fazli Grajçevci. Andaj, vijnë logjikshëm demonstratat e vitit 1968, me kërkesat edhe për Republi­kën e Kosovës. Pastaj vijnë demonstratat e vitit 1981, nga të cilat lëkunden përfundimisht themelet e vëllazërimit dhe bashkimit të asaj ish-Jugosllavie, që ishte bërë burg i popujve. Greva e minatorëve të Trepçës sonë kishte nxjerrë në sipërfaqe edhe bukëshkelësit shqiptarë që zbatonin urdhrat e pushtuesit sllav, duke u bërë dorë e zgjatur e atyre që mbanin nën pushtim pjesën e popullit shqiptar. Në këtë rrjedhë të ngjarjeve është e kuptueshme edhe jeta e brendshme e familjes së dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj. Bredhjet nëpër anë të ndryshme të ish-Jugosllavisë, vetëm për ta siguruar mbijetesën për familjen, si dhe përpjekjet për t’i shkolluar fëmijët, ishin kërkesa thuajse të pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.

Këto ishin kërkesat kryesore edhe të familjes Hysenaj të Abrisë së Drenicës. Në kushte të tilla ishte rritur dhe ishte edukuar edhe dëshmori i kombit Bekim Hysenaj, me vëllezër dhe me një motër, që ishte fëmija më i madh i familjes. 

Në Kosovë po vinte lufta për liri dhe çlirim kombëtar

Në jetën e dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj kanë lënë shenja edhe demonstratat e shumta në Prishtinë dhe në Drenas, sidomos pas përballjes së UÇK-së me ushtrinë dhe policinë serbe në Likoshan dhe në Qirez. Ritmi i një jete dinamike, siç e ka dhënë autori i monografisë, Afrim Hysenaj, dëshmon jo vetëm për guximin dhe përpjekjet për ta dëmtuar pushtuesin, por edhe për ta ulur në sytë e njerëzve. Prandaj, kujtohet me respekt ngjarja kur në demonstratën e Drenasit hip mbi autoblindën serbe, e heq flamurin serb dhe e vendos flamurin shqiptar. Të gjithë çuditen si kishte shpëtuar atë ditë. Nga kjo ditë e tutje, ai bënte jetë ilegale. Disa momente i ka dhënë autori përmes dëshmitarëve, qoftë për ato ngjarje, qoftë për mënyrën e martesës me Elfeten nga Kodra e Trimave në Prishtinë, qoftë për lindjen e fëmijës së parë në luftën e UÇK-së, si dhe gëzimin e dëshmorit që ishte bërë baba.

Hyrja e dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj në radhët e Ushtrisë Çlirim­tare të Kosovës vjen si rrjedhë e logjikshme e jetës dhe e veprimtarisë së tij kundër forcave pushtuese serbe. Ai së bashku me të vëllanë, Asllanin, bëhen ushtarë të njësisë në Këpuz të Anadrinisë, që i takonte Zonës Ope­rative të Dukagjinit. Pastaj kalon në Zonën e Drenicës, përherë i gatshëm që të sakrifikohet për lirinë dhe çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare.

Autori i monografisë, Afrim Hysenaj, për dëshmorin e kombit, Bekim Hysenaj, ka zgjedhur një mënyrë tjetër, jo vetëm për t’i rrëfyer bëmat e luftës, gatishmërinë e luftëtarëve të lirisë që të sakrifikohen, por edhe për ta krijuar atmosferën e atyre ngjarjeve, ndër më madhështoret në historinë moderne shqiptare. Rrëfimet e bashkëluftëtarëve, të eprorëve të dëshmorit, apo të shokëve të tij të istikameve, flasin më qartë se të gjitha dokumentet e ndryshme arkivore, sepse janë të drejtpërdrejta, janë krejt të natyrshme, ngase flasin për një rënie në nderim të lirisë së atdheut, që ishte pjesë e të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mendoj se kjo mënyrë e krijimit të tërësisë së rrëfimit të ngjarjeve në këtë monografi, i ka dhënë dorë autorit ta krijojë atmosferën e atyre momenteve, sa tragjike, aq edhe heroike të rënies së dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj. 

Përfundim

Monografia e autorit Afrim Hysenaj, kushtuar dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj, në këtë mënyrë shndërrohet në një dëshmi konkrete të gatishmërisë së një populli, të brezit të saj më të ri, që të sakrifikohet për lirinë dhe çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare, pas një robërie sheku­llore nën pushtuesin sllav. Dëshmori i kombit Bekim Hysenaj, me rënien e tij, bëhet shenjë e kujtesë sonë kombëtare, si dhe bëhet përvojë e madhe historike, se pa luftë nuk fitohet liria.

Monografia e autorit Afrim Hysenaj, kushtuar dëshmorit të kombit Bekim Hysenaj, në këtë mënyrë shndërrohet në një dëshmi konkrete të gatishmërisë së një populli, të brezit të saj më të ri, që të sakrifikohet për lirinë dhe çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare, pas një robërie sheku­llore nën pushtuesin sllav. Dëshmori i kombit Bekim Hysenaj, me rënien e tij, bëhet shenjë e kujtesë sonë kombëtare, si dhe bëhet përvojë e madhe historike, se pa luftë nuk fitohet liria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të 6-tën natë radhazi, mijëra francezë, në Paris dhe…