Thaçi: Me asnjë çmim nuk do të ndodhë ndarja e Kosovës

02 gusht 2018 | 12:35

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe të enjten ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por vetëm korrigjim të kufijve me Serbinë.

Ai ka thënë se janë 400 kilometra kufi që duhet vënë në mes të dy shteteve.

“Se kur do të ndodhë takimi i radhës në mes të delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë ende nuk është specifikuar ndonjë ditë, por unë shpresoj që nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit do të kemi një dinamikë më të fuqishme të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dialogut Kosovë-Serbi”.

“Ndërsa sa i përket korrigjimit të kufijve e theksoj, është realitet, kemi diku rreth 400 kilometra kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë që duhet t’i vëmë, sepse duhet ta përmbyllim shtet-formimin apo konsolidimin e shtetit tonë, dhe pa vënien e pikave kufitare ende nuk është përmbyllur ai proces me Serbinë, dhe për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, do të diskutohet për korrigjimin e kufijve” ka thënë Thaçi gjatë vizitën në Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Ai ka ritheksuar se me asnjë çmim nuk do të ndodhë ndarja e Kosovës.

“Dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve e theksoj edhe njëherë, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, nga askush nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërsa në kuadër të korrigjimit besoj se është shumë e realizueshme, është e pranueshme nga ana e jonë kërkesa e institucionalizuar e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën nëse ka marrëveshje ose pajtueshmëri të dyanshme. Askush nuk do të mund dhe nuk do të dalë kundër një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të palëve të përfshira në dialog, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Pra as Bashkimi Evropian, as NATO dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Matoshi është emëruar ushtrues detyre i ministrit të Mjedisit…