“Marshi për drejtësi” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së po merr përkrahje të madhe

28 mars 2023 | 11:14

Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër” organizon marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Deri më tani ky marsh ka marrë mbështetje të madhe nga disa parti politike, deputetë, shoqëria civile, shoqata dhe organizata të ndryshme, artistë dhe disa oda ekonomike.

“Marshit për drejtësi” i kanë dhënë përkrahje edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Të hënën Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka dhënë përkrahje marshit protestues në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, shkruan “Epoka e re”.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, i ka ftuar të gjitha bizneset t’i bashkohen marshit, teksa ka thënë se ai nuk ka ngjyrë politike, por ngjyrë lirie.

“Ne si Aleancë Kosovare e Biznesit i kemi dhënë mbështetjen tonë marshit të 2 prillit me emrin ‘Liria ka emër’. I ftoj të gjitha bizneset e vendit, të cilat dje ishin pjesë e luftës dhe sot janë pjesë e lirisë, t’i bashkohen kësaj proteste masive, në mënyrë që ta çojmë mesazhin se liria vërtet ka emër. Njerëzit tanë padrejtësisht mbahen në burgje të ndryshme me akuza të pabëra, por drejtësia i qet në shesh të gjitha. Ne mburremi me luftën dhe luftëtarët tanë. Ky marsh nuk ka ngjyrë politike, ka ngjyrë lirie, ngjyrë demokracie, drejtësie”, u shpreh Shahini.

Edhe Lëvizja për Bashkim (LB) i ka dhënë përkrahje marshit “Marshojmë për drejtësi” të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

“Duke qenë se Lëvizja për Bashkim, që nga përpjekjet e para për krijimin e kësaj gjykate, ka qenë kundër dhe e ka parë këtë institucion si përpjekje për ndryshimin e së vërtetës dhe historisë, duke qenë se padrejtësia si ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ashtu edhe ndaj Kosovës në përgjithësi, është aq e madhe dhe aq e dukshme; duke parë heshtjen e patolerueshme të institucioneve të Kosovës karshi kësaj padrejtësie, Lëvizja për Bashkim e ka parë organizimin e kësaj proteste të nevojshme dhe të domosdoshme. Prandaj Lëvizja për Bashkim do ta mbështesë, do të marrë pjesë dhe i fton të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët që ti përgjigjen kësaj ftese. Të dalim e të marshojmë të gjithë së bashku!”, është thënë në njoftimin e LB-së.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë ditë më parë se kjo parti mbështet marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.

Këtij marshi i kanë dhënë përkrahje edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqata e Pensionistëve të Kosovës.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Eliza Hoxha.

Më tej, ajo ka shtuar se duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se drejtësia si parim është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.

“Gjithsesi, duhet të jemi edhe koshient se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe ne nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill ju ftojmë për një marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, ka thënë Hoxha.

Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…