Në 42-vjetorin e demostratës në Drenas/ KUSH E MOHON KËTË HISTORI!?

02 prill 2023 | 10:02

Shkruan: Xhemë Binaku

Në 42-vjetorin e demonstratës popullore  në Drenas, natyrisht edhe në disa vende tjera të Kosovës më preku pamasë  një fakt tepër zhgënjyes, kur edhe në libra të ndryshëm dalin mohime dhe devijime të historisë kombëtare! Në njërën nga këto, që po jap për provë, gjendet edhe një “Harta e Kosovës”, siç thuhet nga autori/ët -ku janë zhvilluar demonstratat më 1981, në të cilën nuk figuron fare Drenasi (ish-Gllogoci)! Ndoshta në të njëjtën hartë mungojnë edhe vende tjera ku janë mbajtur demonstratat e v. 1981, po mua më preku shembulli i mungesës të Drenasit, sepse jo vetëm unë jam dëshmitar dhe pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje të madhe kombëtare, ku për fat nuk pati të vrarë, po mbetën të plagosur edhe në radhët e nxënësve, që ishin numri më i madh pjesëmarrësish, po mbi të gjitha dhjetra tjerë u dënuan edhe me nga mbi dhjetë vite burg të rëndë, përpos keqtrajtimeve më të dhunshme nga aparati shtetëror.

Nuk do të lëshohesha emër për emër sepse ata që vuajtën burgjet jugosllave për këtë demonstratë janë të shumtë, po sa për të provuar po cek Enver Dugollin, Halil Kuliqin, Elmie Plakiqin e dhjetra tjerë, të cilëve ju kërkoj falje të thellë që nuk i shfetova, duke sqaruar se nuk kisha për qëllim t’i apostrofoj të dënuarit, po vetëm ta demantoj cilindo që nxjerr të pavërteta të tilla të rënda kur mohojnë ngjarje të tilla të rëndësishme të kombit si kjo për Drenasin në harta të trilluara!

Mos të harrojmë se shumë pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje historike kanë edhe statusin e të dënuarëve politikë, që e kanë dëshmuar organet e drejtësisë kosovare, sigurisht të provuara me aktgjykime të gjykatave të kohës të orkestruara nga prokurorë dhe gjyqtarë serbë, po edhe argatë shqiptarë të atij sistemi. Po ashtu, dhjetra e më shumë janë përjashtuar nga puna për pjesëmarrjen në këtë demonstratë.

Krejt këto i shpërfaqa vetëm e vetëm që të dëshmoj se më 2 prill 1981 në Drenas është mbajtur njëra nga demonstratat më masovike në të ënjten e tregut në këtë komunë e kjo është dëshmi se kjo është ngjarje që nuk mund ta mohojë askush me asnjë libër apo hartë. Ishte dhe do të mbetet ngjarje e madhe në lëvizjen tonë kombëtare.

Mund ta marr me mend se autori i librit që e mora shembull krejt rastësisht nuk është autor i kësaj harte të çoroditur dhe të pavërtetë, po i njëjti mban përgjegjësinë duke e cituar si një ilustrim dokumenti për ngjarje aq të madhe të kombit, që u quajtën edhe Pranvera e Kosovës.

Në përvjetorin e kësaj demonstrate, më duket me vend që të zhvlerësohet çfarëdo shkrimi, libri apo harte që ka mohuar këtë demonstratë dhe kërkohet që një shtrembërim i tillë i historisë të korrigjohet duke kërkuar madje edhe falje para organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratës të kësaj date.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Berat Luzha I Pranvera po vinte me hape të mbarë.…