Thaçi: E gjithë bota e di, “shtëpia e verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë

04 prill 2023 | 13:38

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu drejtua sot Dhomave të Specializuara në Hagë në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi hodhi të gjitha akuzat që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por, jam gati të përballen me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim”, tha Thaçi.

Thaçi tha se ky gjykim ka hequr “renë e zezë” mbi Kosovën, sa i përket pretendimeve të ish-senatorit amerikan, Dick Marty, për trafikim organesh nga UÇK-ja.

“Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe rreja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se ky gjykim është “rrugëtim drejt të vërtetës dhe drejtësisë”.

Sipas Thaçit, viktimat nuk marrin drejtësi përmes përndjekjes të të “pafajshmëve”.

“Padrejtësia nuk ndreqet me një padrejtësi tjetër”, tha Thaçi.

Ai foli edhe për synimin e luftës së zhvilluar më 1998-99.

“Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim: lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovë”.

“Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, lufta iu imponua” atyre, theksoi Thaçi.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së po ashtu foli për kundërshtimet politike që ka mundur t’i ketë me bashkëluftëtarët e tij pas luftës.

“Emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit aker politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës të ekzagjëruara apo të përshtatura të akterëve të ndryshëm të luftës. Si në çdo shoqëri demokratike, Edhe te ne, jo çdo bashkëluftëtar i luftës ka qenë edhe bashkudhëtar apo bashkëmendimtar i proceseve politike të pasluftës.Në raste jo të pakta, ambicia, interesat politike e egoja personale tejkaloi të vërtetën dhe realitetin për rrëfimin e UÇK-së dhe vet historisë së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Thaçi tha se i vjen keq që disa dëshmitarë potencialë, që kanë vdekur, sikurse ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ish-veprimtari politik, Adem Demaçi, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, Robin Cook e të tjerë, nuk do të mund të dëshmojnë në gjykimin ndaj tij.

“Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar…