Kudusi Lama: Zëri shqiptar për drejtësi, identitet dhe dinjitet duhet të dëgjohet

05 prill 2023 | 14:26

(Fjalë në tubimin mbështetës të shqiptarëve për udhëheqësit e UÇK-së të ndaluar në paraburgim në Hagë, më 3 prill 2023).

Nga: Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension

Shqiptare e shqiptarë kudo që jeni,

Të dashur motra e vëllezër të idealit kombëtar,

Të nderuar qytetarë të Europës e botës moderne,

Të nderuar politikanë të Europës e gjithë botës që e doni drejtësinë dhe mbarësinë e zhvillimin e popujve si të barabartë midis të barabartëve,

Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare

Zonja dhe zotërinj të Gjykatës Speciale e quajtur e Kosovës në Hagë,

Të nderuar të pranishëm,

E marr fjalën në këtë tubim mbarëshqiptarë këtu në Hagë për të thirrur fort përpara botës: Drejtësi! Për të kërkuar të respektohet historia për të gjithë popujt njëlloj.

Ne jemi shqiptarë dhe jemi krenarë për përkatësinë kombëtare.

Ne jemi shqiptarë, që duam të jemi në të drejtën tonë, si gjithë të tjerët. Nuk kemi dëshirë të kemi edhe në kohët moderne, frikë se po na vrasin, se po na helmojnë, se po na burgosin, se po na masakrojnë, se po na shpërngulin, po na grabisin pasurinë, po na marrin trojet etj. Këto, jo më!

Prandaj, sot dua të thërras që të dëgjohem në gjithë kontinentet. Nuk mund të duroj më padrejtësinë vetëm pse të fuqishmit duan të rregullojnë interesat e tyre mbi të drejtën time. Nuk jam i gatshëm të pranoj torturën vetëm për kënaqësitë e Serbisë dhe atyre që e përkëdhelin atë apo e kanë të preferuar ose kanë interesa. Nuk jam i gatshëm të pranoj padrejtësinë vetëm pse Serbinë dikush ka dëshirë ta kthejë në viktimë e shqiptarët që luftuan për t’u çliruar e shpëtuar prej saj të kthehen në kriminelë.

Prandaj, jam sot këtu, për ta pyetur Europën: A të bën nder kjo lloj drejtësie? A ndihesh vërtetë e plotësuar duke akuzuar çlirimtarët për krime, për të bërë Serbinë viktimë? A i beson vetë këto që po bën?

A vërtetë mendon Europa se progresi dhe zhvillimi arrihen duke dënuar çlirimtarët? Unë them jo, nëse Europa luftën për liri e konsideron prapambetje, ne jemi të gatshëm të mbetemi të prapambetur. Lirinë e kemi shpallur të shenjt.

Edhe ata çlirimtarë që janë mbyllur në Hagë, kur kanë rrëmbyer armët për të luftuar pushtuesin kanë bërë betimin: Liri a vdekje. Fati i kurseu ndoshta për të mbrojtur historinë përpara përbaltësve të saj.

Unë vij këtu si një ushtar nga fusha e betejës, sepse konsideroj se sot kombi shqiptar, pikërisht këtu e ka vijën e frontit për të fituar të drejtën dhe dinjitetin politik dhe juridik në sytë e botës moderne partnerë i të cilës është.

Ne jemi qytetarë dhe e duam qytetërimin. Ne nuk duam të jemi armiq të askujt dhe nuk punojmë të bëjmë askënd armik. Por jemi të detyruar t’i sakrifikojmë të gjitha kur na cenohet drejtësia dhe liria, kur na pushtohet atdheu e na shkatërrohet kombi.

Ne duam që në themel të lirisë të jetë ligji, i cili të bëjë drejtësi për të gjithë. Ne duam të jemi të lirë, të pa sunduar e të pa kërcënuar nga askush.

Por, kur ne dyshojmë se disa vende te Europës po na bëjnë hile, çfarë duhet të bëjmë? A mundet Europa mederne demokratike të na bindë se po bën drejtësi, kur vepron me porosi e kërkesë të masakruesit të shqiptarëve, siç është Serbia? A mundet Europa të na bindë se prokuroria Speciale në Hagë e ngritur me urdhër të Europës, e cila formalisht quhet e Kosovës, po punon për drejtësi? Pse u arratis nga detyra kryeprokurori Smith, i cili ishte deri dje përpunuesi i dëshmitarëve të rremë në bashkëpunim me prokurorinë e Serbisë?

Për opinionin tim kjo prokurori e gjykatë speciale e quajtur e Kosovës, nuk është më një institucion ligjor dhe drejtësie, por një institucion politik kundërshqiptar. Uroj të më bindin për të kundërtën.

Shqiptarët janë një komb me virtyte. Nëpër histori kanë ardhur kryelartë. Prandaj edhe kanë mundur të mbijetojnë përballë armiqve të shumtë që kanë synuar t’i zhdukin.

Por ne tashmë i kemi kuptuar mjaft mirë djallëzitë e Serbisë dhe mbështetësve të saj, si dhe lajkat që ata u bëjnë më të fuqishmëve për të përfituar.

Por Serbia dhe mbështetësit e saj atë punë kanë.

Ky mashtrim i Serbisë fashiste ka bërë që sot ne të kemi të mbyllur Hagë një grusht luftëtarësh të lavdishëm, që kanë sakrifikuar gjithçka vetëm për ta parë atdheun të lirë. Ata erdhën nga lufta për t’u gëzuar në atdheun e lirë, por populli i Kosovës i vuri në udhëheqje të vendit. E në udhëheqje të vendit luftëtarët kishin vendosmërinë për ta zhvilluar jetën e popullit të tyre, për ta për ta ngritur në nivelin e vendeve të zhvilluara dhe për ta mbrojtur atë përballë sfidave të ardhshme. E ky qëndrim, ua prishi interesin Serbisë dhe mbështetësve të saj edhe në Europë. Prandaj u ndërmor ky hap i pa moralshëm. U krijua kjo gjykatë politike. Dhe kjo me votën e atyre që ishin planifikuar të arrestoheshin. U krijua kjo gjykatë e quajtur e Kosovës, për t’u thirrur në Kosovën e për të mos i dhënë llogari Kosovës.

Europa është mirë ta korrigjojë këtë praktikë, nëse nuk e ka në filozofinë politike të të ardhmes së saj.

Europa duhet ta kthejë këtë gjykatë në gjykatë drejtësie, duke hequr dorë përfundimisht nga synimi për të trajtuar viktimën si kriminel e kriminelin si viktimë.

E krimineli është Serbia, e cila ka bërë gjenocid mbi shqiptarët prej 147 vjetësh, duke zhdukur 77 për qind të shqiptarëve banues të tokave të pushtuara prej saj. Ajo masakroj në mënyrë masive në Luftën Çlirimtare të Kosovës, si dhe shpërnguli e hodhi jashtë kufijve të tokës së tyre 75 për qind të qytetarëve shqiptarë të Kosovës vetëm në vitin 1999, duke masakruar 16 mijë prej tyre.

Ndërsa sot një grusht burrash që luftuan kundër kriminalitetit të Serbisë, gjenden në burgun e Hagës si kriminelë. Dhe faji i tyre i vetëm është se ata patën guximin që bashkë me bashkëluftëtarët e tyre, rrëmbyen armët dhe dolën përballë forcave të armatosura të Serbisë, të cilat kishin në përbërje: 70 mijë trupa ushtarake, 12 mijë trupa policore, 8 mijë trupa paramilitare, 5 mijë trupa kriminale e vullnetare, si dhe 63 mijë trupa të armatosura territoriale nga serbët banorë të Kosovës, duke shkuar kështu në 158 mijë trupa të armatosura, të cilat i kanë bërë të gjitha krimet e mundshme mbi qytetarët e Kosovës.

Do të doja një drejtësi të pa censuruar. Do të doja të bëhen publike padrejtësitë dhe dhuna e masakrimi që është ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët e pushtuar. Do të doja pra, të kishte drejtësi, se e konsideroj themelin e të gjitha virtyteve, siç e kemi mësuar edhe nga historia. Dhe drejtësi do të thotë edhe të luftosh për të çliruar të pushtuarit nga pushtuesi, duke bërë edhe sakrificën sublime. Aq më shumë kur i pushtuar është populli yt, fisi yt, gjaku yt. Por kjo na solli këtu, në dyert e kësaj gjykate të quajtur e Kosovës, prokuroria e së cilës po na i akuzon luftëtarët e lirisë si kriminelë. A do të na i akuzonte po të kishin rënë në luftë? Mendoj de po. Sepse Serbia e ka bërë dhe po e bën, duke bërë gjyqe e duke na dënuar me burgime të gjata edhe dëshmorët. E kjo gjykatë prokuroria e së cilës është kthyer aktualisht në dorë të zgjatur të Serbisë mbi drejtësinë, duket se po bën gabim të rëndë.

Për këtë apelojmë sot, se nuk duam një kërkim falje nesër, që do të ndodhë, por duam dhe kërkojmë lirimin e luftëtarëve nga akuzat e montuara nga Serbia sot, e cila do të ishte drejtësi.

Sot po bëhen lojëra edhe me përkatësinë fetare. Por ne e dimë se dielli është i të gjithëve dhe Zoti i të gjithëve. Kush i donë këto vetëm për vete, është mashtrues, që sakrifikon të vërtetën për interesat e tij. Askujt nuk i lejohet që duke përdorur përkatësinë fetare të shkelë mbi drejtësinë dhe ta ndryshojë drejtimin e saj. Prandaj ju lutem të bëheni me të drejtën dhe të bëni drejtësi.

Armatosuni me guxim të nderuar gjykatës, bëhuni të vendosur, bëhuni të matur, thojini jo padrejtësisë, mos mendoni thjeshtë të përfitoni për vete, mos mbyllni sytë përpara rekomandimeve politike në kurriz të drejtësisë, sepse ju do të akuzoheni në një çast të mëvonshëm për mashtrim dhe padrejtësi, më së pari prej atij që po i shërbeni në kurriz të të drejtës dhe të vërtetës.

Ka ardhur koha që të mos jemi më të ngarkuar me dhimbje. Por të guxojmë të pyesim edhe Europën e më gjerë: Pse, pse vepron kështu. Pse vihesh në mbrojtje të kriminelit, duke ia lëshuar fajësinë viktimës. Pse?

E për këtë unë i ftoj të gjithë shqiptarët të jemi bashkë. Të mos e pranojmë askënd, që dëshiron të na dënojë në Hagë, të na përçajë e të na dobësojë. Prandaj lutem që asnjë shqiptarë të mos qëndrojë neutral, sepse dobësojmë fuqinë kombëtare. Lus që asnjë shqiptarë të mos heshtë sepse i bëjmë shoqëri pa dashje Serbisë dhe mbështetësve të saj, për të na përbaltur historinë. Dhe ju siguroj, se ajo që e lëmë njëherë të ndodhë do të na ndodhë përsëri e përsëri, sepse Serbia nuk ndalet, ajo do të kërkojë të hapë një fushë tjetër lufte sa të përfundojë kjo luftë në Hagë. Prandaj në bëhemi bllok i pa kapërcyeshëm të gjithë ne shqiptarët përballë çdo tentative për të na poshtëruar e dënuar.

Duhet të dimë se një vend që nuk ka harmoni nuk mund të ketë as forcë, as autoritet, as zhvillim. Prandaj kush është shqiptar ta kuptojë këtë para se të na bëhen dëme nga armiqtë, sepse të jeni të sigurt se armiqtë janë gjallë dhe në veprim intensiv me të gjitha format e luftës që lejon koha. Për këtë secili nga ne të marrë përgjegjësitë, sepse të gjithë jemi të nevojshëm, të gjithë kemi diçka për të bërë për kombin tonë, për atdheun tonë, për jetën tonë, për të ardhmen tonë, për lavdinë tonë historike. E duke qenë këtu të thërrasim sa më fortë për drejtësi, për drejtësi ligjore, pa baltë politike e të interesave.\

Historia e shqiptarëve ka treguar forcën e jashtëzakonshme të qëndresës, megjithëse e pa vlerësuar nga Europa. Përkundrazi, shpesh jemi vënë në pozitën e një kombi të paragjykuar sipas marketingut të armiqve.

Historia e luftës 25 vjeçare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kundër perandorisë më të madhe të kohës, perandorisë osmane, skaliti shpirtin liridashës të shqiptarëve, të cilët qëndruan të pa thyeshëm para osmanëve, duke zhvilluar edhe 54 kryengritje të mëdha në katër shekujt vijues. Pa folur për luftën e shqiptarëve për të mbrojtur veten dhe Europën, për të fituar pavarësinë Greqia, Serbia, Bullgaria, si dhe për të mbështetur kryengritjet e Hungarisë etj. E megjithatë, kur shqiptarët po punonin për të krijuar shtetin e tyre, ishin pikërisht serbët, malazezët, bullgarët dhe grekët që u sulën për ta copëtuar tokën shqiptare, e duke grabitur prej saj 70 për qind të territoreve etnike, si dhe duke zhdukur 50 për qind të shqiptarëve.

Ndërsa sot përsëri kriminelët qenkemi ne. Dhe tani me vulë të Europës! Ky është paradoks! Por ne refuzojmë të besojmë se drejtësia ka vdekur. Ne refuzojmë të bashkohemi me padrejtësinë. Ne refuzojmë të na e përbaltin historinë. Ne atdheun e kombin i kemi mbi jetët tona, ashtu sikurse besnikërinë për ata që na japin besnikëri e kemi të shenjtë. Por duhet që ballkanasit dhe europianët përfundimisht të binden se fati i tyre është i lidhur me fatin tonë, me shqiptarët, që jemi pjesë autoktone e këtyre hapësirave. Ashtu siç ne nuk mund të bëjmë pa ata, edhe ata nuk mund të bëjnë pa ne, se e kemi oborrin të përbashkët. Nuk mund të jenë europianët të zhvilluar pa shqiptarët të zhvilluar, nuk mund të jenë europianët të lirë, pa shqiptarët të lirë, ata janë të lidhur pazgjidhmërisht me ne, sepse ne jemi pjesë e tyre.

Prandaj, edhe në këtë tubim europian, duhet të mbështetemi fuqishëm prej të gjithë qytetarëve europianë, sepse jemi këtu për të mbrojtur historinë tonë, vlerat tona, pastërtinë e luftës tonë për liri, për të mbrojtur drejtësinë dhe qytetarinë. Dhe të gjitha këto për të cilat ne jemi tubuar, janë vlerat më të larta edhe të Europës, edhe për europianët.

Prandaj edhe jemi këtu, për t’i bërë thirrje çdo europiani, që të bëhet pjesë me ne për të vendosur përfundimisht drejtësi edhe për shqiptarët.

Kjo është një luftë për ne shqiptarët. Një luftë që bëhet në këtë front në Hagë, ku prokurorët dhe gjykatësit thirren në emër të popullit të Kosovës, pa pyetur për popullin e Kosovës dhe pa e pyetur atë. Pa thënë që ka prej tyre, që as nuk e dinë ku është Kosova. E po t’i pyesësh ka mundësi ta vendosin gishtin në hartën e Afrikës. Edhe thjeshtë kjo, është tregues sa pak serioze është për këta gjykatës çështja të cilën e gjykojnë. Atyre u është thënë që do të gjykoni disa kriminelë dhe ndoshta mendojnë se kanë përballë vërtetë kriminelë, pa vlerësuar se përpara tyre janë ulur heronj, që kanë luftuar e çliruar atdheun dhe popullin e vet nga masakrimi i pushtuesit. Heronj, që prokurorët dhe gjykatësit që i gjykojnë do të dëshironin t’u ngjanin.

Prandaj vlerësoj se është koha e fundit, kur gjithsecili me logjikë, duhet të thirret në të vërtetën, për të bërë drejtësi, me shumë sinqeritet dhe guxim.

Ne e dimë se asgjë nuk fitohet pa përpjekje, as liria nuk fitohet pa luftë. Por a e di Europa këtë? Me lëshimet që po u bën kriminelëve si Serbia dhe me përpjekjet për të deklaruar kriminelë luftëtarët e lirisë, duket sikur i ka kthyer shpinën historisë së saj.

Për këtë edhe i thërras të gjithë shqiptarët të bashkohemi, që ta kuptojë Europa se ne nuk mund të lëshojmë pe më tej.

Dua të kërkoj, këtu ku jemi, të thërrasim me një zë për drejtësi, të dëgjojë gjithë bota e zhvilluar, gjithë bota qytetare, se jemi në mbrojtje të luftës tonë të lavdishme që na ka sjellë lirinë. Se jemi në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë që na i kanë mbyllur me akuza të rreme në Hagë e po na i akuzojnë si kriminelë.

Të thërrasim fortë të na dëgjojnë edhe udhëheqësit e sotëm të Kosovës në Prishtinë, që të kuptojnë se janë betuar në kushtetutën e Kosovës për të mbrojtur vlerat e historisë, për të mbrojtur pastërtinë e luftës që e lindi atë shtet të cilin e udhëheqin. Do të ju kërkoja publikisht të gjithë niveleve të shtetarëve të Kosovës në Prishtinë, të kthejnë sytë nga Haga e të kërkojnë të vërtetën e të drejtën dhe të hedhin poshtë gënjeshtrën dhe shpifjen të cilat i kanë rrënjët në Beograd, atje ku kanë lindur të gjitha tragjeditë kundërshqiptare.

Duhet të kuptoni Ju shtetarë të Kosovës se kriminalizimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë që e barti atë luftë, ka synimin të konsiderojë me rrënjë kriminale edhe shtetin i cili ka lindur nga ajo luftë dhe të cilin e udhëhiqni Ju sot. A do të dini t’i kundërviheni dhe ta pastroni shtetin e Kosovës nesër kur Serbia fashiste të kërkojë të zhduket nga harta e Europës ky shtet, që quhet Kosovë e që ka lindur si rrjedhojë e krimeve që ka bërë një ”ndërmarrje e përbashkët kriminale” që quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës?

Unifikojeni popullin, të nderuar shtetarë të Kosovës për të mbrojtur pastërtinë e vlerave historike të lirisë dhe pavarësisë, për hatër të të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes tonë. Sot është koha ta bëni këtë.

Ashtu edhe shteti i Shqipërisë, të luaj rolin e tij të fuqishëm si forca mbështetëse kryesore e Kosovës për të mbrojtur vlerat e historisë dhe të të ardhmes së saj. Shteti shqiptar e ka për detyrë ta bëjë këtë.

E të gjithë bashkë ne do të fitojmë, se jemi në të drejtën tonë. Humbës si dje në Luftën Çlirimtare të Kosovës ashtu edhe sot e gjithnjë kanë për të qenë Serbia dhe mbështetësit e saj.

Lavdi Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë që e barti atë luftë,

Lavdi dëshmorëve,

Nderim luftëtarëve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënkryetari i komunës…