Clinton pendohet për Memorandumin e Budapestit: Gabimi i madh në 1994

05 prill 2023 | 21:02

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka thënë se i vjen keq që i bindi autoritetet ukrainase të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore në vitin 1994. Nëse Kievi do të kishte ende një arsenal bërthamor, thotë Clinton, Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën. Ai e tha këtë në një intervistë për RTÉ irlandez, raporton Kyiv Independent.

“Ndjej një përgjegjësi personale sepse e bëra Ukrainën të pranonte të heqë dorë nga armët e saj bërthamore. Askush nuk beson se Rusia do ta bënte këtë zgjedhje nëse Ukraina do t’i kishte ende ato armë,” tha Clinton.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, Ukraina u bë fuqia e tretë më e madhe bërthamore në botë. Por në vitin 1994, pas bisedimeve midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, Clinton njoftoi se Ukraina kishte rënë dakord të largonte armët bërthamore nga territori i saj.

Në 1994, Presidenti ukrainas Leonid Kuchma, Presidenti rus Boris Yeltsin, Presidenti i SHBA Bill Clinton dhe kryeministri britanik John Major nënshkruan Memorandumin e Budapestit, sipas të cilit Ukraina ra dakord të heqë armët bërthamore nga toka e saj, në këmbim të garancive të sigurisë nga nënshkruesit: SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia.

“E dija se presidenti Putin nuk e mbështeti marrëveshjen e Presidentit Jelcin për të mos ndërhyrë kurrë në kufijtë territorialë të Ukrainës, një marrëveshje që ai bëri sepse donte që Ukraina të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore”, tha Clinton për RTÉ.

“Ukraina kishte frikë të hiqte dorë nga armët bërthamore sepse mendonte se ishte e vetmja gjë që i mbronte nga Rusia ekspansioniste”, shtoi Clinton.

Në shkurt të vitit 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë, duke shkelur ndër të tjera edhe Memorandumin e Budapestit.

“Kur ishte e përshtatshme për të, Presidenti Putin shkeli memorandumin dhe mori Krimenë. Ndihem keq për këtë, sepse Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm,” thotë Clinton.

Ai gjithashtu thekson se është e rëndësishme që mbështetja e Perëndimit për Ukrainën të mbetet e qëndrueshme: “Ajo që bëri Putin ishte shumë e gabuar dhe unë mendoj se Evropa dhe SHBA duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti holandez në Parlamentin Evropian, Thujs Reuten, po shprehet i…