Politikani serb tregon kush e ka vrarë Ivanoviqin dhe kush është përgjegjës

06 prill 2023 | 08:35

Politikani dhe analisti serb Boban Bogdanoviq në një rrëfim special ka folur rreth vrasjes së politikanit serb në veri, Oliver Ivanoviq.

Ai tha se Ivanoviqi u vra për shkak të aktivitetit të tij politik, duke e kundërshtuar fuqishëm Listën Serbe dhe politikat e Beogradit.

“Vrasësi i të ndjerit Ivanoviq është Ljubomir Lainoviq, djali i Branislav Lainoviqit”, tha Bogdanoviqi.

Bogdanoviq në emisionin “Politiko” tha se një ditë pas bisedës telefonike të Oliver Ivanoviqit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku i kishte treguar për kërcënimet që kishte marrë dhe rrezikun që ndodhej, ai ishte vrarë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përgjegjësi sepse Ivanoviqi i kishte treguar atij në telefon se ndihet i kërcënuar dhe Vuçiqi nuk bëri asgjë për të mbrojtur atë”, tha tutje ai.

Ai, po ashtu, për përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit ka përmendur edhe dy politikanët serbë nga veriu, Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radojiciq.

 “Veselenoviqi dhe Radoiqiqi janë në listën e zezë të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe. Natyrisht që Vuçiqi ka përgjegjësi. Ai nuk e ka kuptuar seriozisht bisedën e fundit me Oliverin kur ky i tha se siguria e tij është e rrezikuar. Ai nuk e ka mbrojtur. Pas këtij takimi ai është vrarë menjëherë. Pas mbështetjes së Veselenoviqit e Radoiqiqit qëndron Vuçiqi. Ata në veri të Kosovës kanë zhvilluar një nacionalizëm të rrejshëm. Ata janë paguar nga shteti i Serbisë. Ata sundojnë në veri të Kosovës. Ata kanë shkaktuar çrregullime tektonike në Sebri. Unë jam sulmuar në mënyrë brutale nga mediet atje”, tha Bogdanoviqi.

Bogdanoviqi e ka konsideruar të çuditshme sjelljen e “gruas pa kurorë” të Oliver Ivanoviqit pas vrasjes së tij, e cila, siç tha ai, pati deklaruar se bashkëshorti  i saj nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe tani ajo u punësua në Ministrinë e Turizmit dhe më nuk flet për vrasjen e tij.

“Janë 4 mijë dokumente që flasin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. I kam propozuar Prokurorisë së Kosovës që të formohet një ekip i përbashkët hetues që të dalin para drejtësisë vrasësit e tij”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot me fillim nga…