Ambasadori Kiçmari flet në Kyoto për rolin e OKB-së në Kosovë dhe nevojën për reformimin e OKB-së

07 prill 2023 | 10:43

Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, i ftuar nga drejtori i Qendrës së Ndërtimit të Paqes në Kioto, profesori Sukehiro Hasegawa, ka marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Qendra e Ndërtimit të Paqes në Kioto dhe Universiteti i Arteve i Kiotos, mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Japonisë, Programi i OKB-së për Vullnetarët dhe Komiteti Parlamentar i Japonisë për Federalizmin Botëror.

Konferenca është organizuar në kujtim të vullnetarit japonez për paqe Atsuhito Nakata, i cili kishte humbur jetën në Kamboxhia në detyrë, në vitin 1993, ku kishte shkuar për të monitoruar zgjedhjet e para të lira në Kamboxhia.

Ambasadori Kiçmari ka mbajtur fjalën e tij në pjesën përmbyllëse të Konferencës, në të cilën kanë folur edhe kryeministri i Japonisë Fumio Kishida, pastaj z. Yasushi Akashi, ish Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm për Kamboxhia, znj. Saiko Yoshikawa, Presidente e Universitetit të Arteve të Kiotos, z. Takehiro Kano, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Paqe në Kabinetin e Kryeministrit, z. Kansei Nakano, ish Ministër i Shtetit dhe ish Nënkryetar i Parlamentit të Japonisë, z. Tetsuro Fukuyama, ish-ministër i Shtetit për Punët e Jashtme si dhe z. Khoradin Sao, Ministër Këshilltar, nga Ambasada e Mbretërisë së Kamboxhias në Japoni.

Në fjalën e tij ambasadori Kiçmari ka thënë se është mbresëlënëse të shohësh se si qeveria japoneze dhe populli i saj i bëjnë homazhe përfaqësuesve të OKB-së që dhanë jetën e tyre për të promovuar paqen dhe demokracinë jashtë shtetit.

Ai ka shtuar më tutje se “Kosova i është shumë mirënjohëse Qeverisë së Japonisë për rolin e saj në procesin e rindërtimit të vendit. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj disa nga personalitetet që janë shënuar në kujtesën e historisë së re të Kosovës: Sadako Ogata ishte Komisionerja e Lartë për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Me angazhimin e saj është ofruar mbështetje për 800 000 refugjatë kosovarë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën. Dua të shfrytëzoj rastin për të falënderuar znj. Yuriko Koike, aktualisht Guvernatore e Tokios, ambasadorin Yoshifumi Okamura, i cili shërbeu si Këshilltar i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë; Ish-administratorin e UNMIK-ut në Skenderaj, Ken Inoue, për kontributin e tij në Kosovë. Nga të dhënat e Ambasadës së Kosovës, rreth 20 vullnetarë japonezë kanë shërbyer në kuadër të misionit të OKB-së në Kosovë në periudhën 1999-2001.”

Në lidhje me nevojën e reformimit të OKB, ambasadori Kiçmari pasi ka shpjeguar konceptin teorik të Immanuel Kantit për Paqen e Përjetshme, ka deklaruar se “është fakt që Karta e OKB-së flet për integritetin territorial, paqen dhe sigurinë, barazinë sovrane të të gjithë anëtarëve të saj, lirinë, vetëmbrojtjen dhe vetëvendosjen, por nuk e përmend fare emrin demokraci.

Është në interes të shteteve që marrëdhëniet mes tyre të jenë paqësore dhe me respekt të ndërsjellë. Por çfarë duhet bërë kur shtetet nuk respektojnë Kartën e OKB-së? A duhet të reagojmë, në rast se liderët e shteteve përdorin dhunë ndaj shteteve dhe popujve të tjerë më të dobët? Shembulli më brutal i kohëve të fundit është invazioni rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u pengua të ndërmerrte çdo lloj hapi, për faktin se Rusia përdor të drejtën e vetos kundër çdo iniciative. Pra, shkelja brutale e Kartës së OKB-së nuk mund të dënohet për shkak të së drejtës së vetos.

Kjo e bën të domosdoshëm rishikimin dhe reformimin e OKB-së, në drejtim të demokratizimit të proceseve vendimmarrëse dhe respektimit të fazës së re në marrëdhëniet ndërkombëtare, të krijuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Albina Hyseni Të punosh të veprosh të jetosh me…