THEMELOHET QENDRA PËR STUDIME KLINIKE NË FAKULTETIN JURIDIK TË UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS

08 prill 2023 | 21:47

Njoftim nga Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka

Pas një procesi të gjatë të rikonceptimit të mësimit klinik në Fakultetin Juridik, themelimit të klinikave ligjore, programeve të certifikimit, përfshirjes së personelit akademik, studentëve dhe aktorëve të tregut të punës, në koordinim me Rektoratin e UP-së, Këshilli Drejtues ka marrë vendim për themelimin e Qendrës për Studime Klinike.

Finalizimi i këtij procesi, me themelimin e Qendrës për Studime Klinike, konkretizon në mënyrë praktike arritjen e një prej objektivave kryesore të përcaktuara në programin e Zyrës së Dekanit të Fakultetit Juridik 2020 – 2024.
Qendra për Studime Klinike do të shërbej si mekanizëm implementues i mësimit klinik (klinikave ligjore), që është njëra ndër shtyllat kryesore të Fakultetit Juridik në zbatimin e programit të ri të studimeve (kurrikula e re), si dhe e njëjta do të shërbejë si ndërlidhje e studentëve të juridikut me institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të tregut të punës.

Kjo qendër ka si mision kryesor (dhe jo vetëm) realizimin e aktiviteteve hulumtuese dhe në mënyrë të veçantë përfshihet koncepti i klinikave ligjore me klientët e vërtetë (Live Clinics), ku nga viti akademik 2023/2024 studentët e Fakultetit Juridik, do të fillojnë të ofrojnë shërbime juridike falas “pro bono” për grupet vulnerable, me mentorimin e profesorëve dhe eksperteve të praktikës (gjyqtarë, prokurorë, avokatë, zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, bashkëpunëtorëve profesional të prokurorive, gjykatave, etj.).

Pas një angazhimi intensiv nga fillimi i vitit 2021, janë vlerësuar (hulumtuar) modelet e disa shkollave juridike elitare, duke filluar nga ato në vendet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe së fundmi ato në ShBA (UC San Francisco Law School, George Washington University Law School, etj.). Aktivitetet e Fakultetit Juridik në lidhje me këto bashkëpunime janë mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, Zyra e BE-së, Pragrami Erasmus+, OSBE, etj.

Gjithashtu, për zbatimin praktikë të programit të klinikave ligjore, Fakulteti Juridik ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Gjykatën Kushtetuese, Odën e Avokatëve dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.

https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1%2C37%2C1999&fbclid=IwAR2JVTG950yUctD3xknyUe9STBoB-jvGmBzGZDgQWo62ikeZbsqoQcedTDQ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në fshatin Begaj…