Kurti: Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave për çlirimin e Kosovës

09 prill 2023 | 10:42

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares.

Kryeministri ka thënë se pushkët e shkrepura atë ditë, nisën luftimet e asaj që tashmë njihet si Beteja e Koshares.

“Sot kujtojmë mëngjesin e hershëm të 9 prillit të vitit 1999, kur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sulmuan ushtrinë serbe, me qëllim thyerjen e kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Aksioni i ushtarëve të UÇK-së kishte tre caqe të pozicioneve të ushtarëve serbë: bazën ‘7 korriku’, Rrasën e Koshares dhe majën ‘Gllava’. Pushkët e shkrepura atë ditë, këtu e 24 vite më parë, nisën luftimet e asaj që tashmë njihet si Beteja e Koshares”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka theksuar se për dy muaj, nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, mijëra ushtarë të UÇK-së do të përballeshin në luftime të ashpra me trupat serbe, çka do të rezultonte me shumë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga të dyja palët.

“Më shumë se 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të binin dëshmorë gjatë luftimeve të atyre ditëve, kurse edhe më shumë se kaq do të plagoseshin. Në anën tjetër, mbi 100 pjesëtarë nga forcat serbe u vranë dhe trefishi i këtij numri prej tyre u plagosën”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shkruar tutje se në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese.

“Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zarf i kuq hyri në shtëpi ditën e sotme…