Qeveria miraton Projektligjin për Programin IPA 2022, Kosova përfiton 62.25 milionë euro nga BE-ja

12 prill 2023 | 15:42

everia e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt të mërkurën, në të cilën ka plotësuar dhe ndryshuar Programin Legjislativ të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023 duke shtuar 12 projektligje.

Po ashtu është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022.

Kjo marrëveshje i mundëson Republikës së Kosovës që të përfitojë 62.25 milionë euro nga Bashkimi Evropian, të cilat do të zbatohen në projektet e kthimit dhe ri-integrimit të komuniteteve, përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, instrumentet e përafrimit dhe përkrahja për mjedisin dhe energjinë e gjelbër.

Sipas qeverisë kjo mbështetje e Bashkimit Evropian përmes IPA-s konsiderohet si kontribut i veçantë për të fuqizuar procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës, posaçërisht duke ndihmuar në arritjen e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Totali i mjeteve të dedikuara, duke përfshirë mjetet e Bashkimit Evropian, donatorëve dhe kontributin nga Qeveria e Republikës së Kosovës është 91 milionë e 830 mijë euro.

Gjithashtu kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh.

Ky projektligj përcakton rregullat e përfaqësimit të institucioneve të administratës shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, po ashtu rregullon edhe funksionimin dhe kompetencat e Avokaturës Shtetërore, si dhe statusin juridik të avokatit të komunës.

Qeveria ka njoftuar se javën e kaluar Republika e Kosovës shënoi fitoren e tretë me radhë në arbitrazhin ndërkombëtar, duke kursyer 145 milionë euro nga vlera e pretenduar. Miratimi i këtij projektligji kontribuon në fuqizimin e mëtejmë të institucioneve të drejtësisë.

Po ashtu ministrat kanë aprovuar analizën Juridike për thjeshtimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve dhe licencave në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë.

Në këtë mbledhje të qeverisë është miratuar edhe Rregullorja për Sistemin e Menaxhimit të Performancës për Agjencitë në Kuadër të Administratës Shtetërore.

Po ashtu u miratua Udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve. “Neni 9-të i Udhëzimit ndryshohet dhe zbatimi i Udhëzimit do të zgjasë për periudhën 8 (tetë) vjeçare nga dita e hyrjes në fuqi. Gjatë vitit 2022 nga kjo masë afirmative kanë përfituar 4375 çifte në nivel vendi, duke regjistruar pa pagesë pronën në emër të dy bashkëshortëve. Kjo masë afirmative ka ndihmuar në rritjen e qasjes së grave në pronë dhe për herë të parë kemi arritur normën e pronësisë nga gratë në nivel vendi në përqindje prej 19,22 %”, ka njoftuar qeveria.

Ndahen 287 mijë euro për delegatët e legjislaturës së vitit 1990

Kabineti qeveritar ka ndarë 287 mijë euro për kompensim financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës të vitit 1990.

Këto mjete do të ndahen proporcionalisht për deputetët, të cilët kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më datë 2 korrik 1990 dhe më 7 shtator 1990, si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.

Po ashtu qeveria ka ndarë 5.5 milionë për zbatimin e masës 2.2- Mbështetje e Bizneseve për qasje në financa, të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Në këtë mbledhje janë rialokuar mjetet buxhetore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në përputhje me 14 marrëveshjet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, kryetarët e komunave dhe donatorët. Për këtë qëllim janë ndarë 3.5 milionë dhe do të shfrytëzohen për realizimin e 14 projekteve, që janë të nënshkruara edhe në memorandumet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara në mes të ministrit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kryetarët e komunave dhe donatorët.

Gjithashtu Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i janë rialokuar 2.17 milionë euro për zbatimin e Programit “Masat preventive – intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme”.

Qeveria ka shkarkuar Bordin menaxhues të Ndërmarrjes Publike Trainkos Sh.A. dhe është emëruar bordi i ri i përkohshëm deri në përzgjedhjen e bordit të ri. “Përbërja e Bordit të ri të përkohshëm është: 1. Riza Spanca, kryesues. 2. Astrit Mehaj, anëtar. 3. Hasan Preteni, anëtar. Dhe 4. Shaban Neziri, anëtar”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City e mposhti 3:0 Bayern Munchen në ndeshjen e…