KFOR-i reagon për incidentin në veri: Institucionet ta hetojnë rastin dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë

12 prill 2023 | 15:54

Misioni i KFOR-it ka dënuar incidentin e së hënës mbrëma, ku një qytetar i Kosovës i nacionalitetit serb u plagos me armë zjarri në Zveçan.

Përmes një reagimi publik, të mërkurën KFOR-i ka deklaruar se pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është thënë në deklaratën e KFOR-it.

Më tutje, KFOR-i ka theksuar se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

“KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”, është thënë në këtë deklaratë.

Të hënën në mbrëmje një person është plagosur me armë zjarri në veri të Mitrovicës, ndërsa rasti saktësisht ka ndodhur në ora 23:48.

Policia e Kosovës të martën ka suspenduar katër zyrtarë të saj në lidhje me incidentin, ndërsa njëri nga ta dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga e mërkura qytetarët e Republikës së Kosovës do…