Serbia duhet ta njohë Kosovën sa më parë

14 prill 2023 | 08:27

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën sa më parë.

Abazoviq, për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, tha se marrëveshja ka implikime të mira për të gjithë rajonin.

“Unë e përsëris mendimin tim dhe të qeverisë, por sidomos mendimin tim personal, se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon. E kuptoj se kjo është çështje mes dy shtetesh, dhe ne nuk kemi ambicie për të hyrë aty dhe të përzihemi, dhe as nuk na takon. Vetëm si dikush që është me të vërtet mik, vëlla, kush ia don të mirën, mendoj se do të kishte qenë shumë mirë për t’u arritur marrëveshja përfundimtare. Do të kishte qenë boost i madh për të gjithë”, tha Abazoviq në Klan Kosova.

Tutje, kryeministri i Malit të Zi tha se sa më pak kohë të shpenzohet deri te njohja e Kosovës nga Serbia, aq më mirë për të gjithë.

“Realiteti është ky (marrëveshja përfundimtare me njohje), vetëm se është në pyetje se si do të arrihet kjo, dhe sa kohë do të shkojë deri në arritjen e marrëveshjes. Sa më pak kohë, aq më mirë, sa më shumë, të gjithë do të jenë më të lodhur. Unë e shoh çka ka qenë në tavolinë, sa kemi mundur të shohim në media e nga kontaktet me ndërkombëtarë, normalisht edhe me përfaqësuesit e të dy palëve. Unë kam takuar edhe kryeministrin e Kosovës në Shkup, kam takuar edhe presidentin e Serbisë, dhe atë që mendoj unë, jam më se i sigurt se kjo formë mund të jetë një hap i madh përpara për me shku drejt një marrëveshjeje ndërkombëtare”, shtoi Abazoviq.

Ndër të tjera, Abazoviq shtoi se Kosovës i duhet njohja ndërkombëtare dhe integrimi në organizata ndërkombëtare duke thënë se kjo do e qetësojë situatën me Serbinë

Sipas tij, komunitetit serb në Kosovë duhet t’i jepen më shumë të drejta.

“Çka i duhet Kosovës? I duhet njohja ndërkombëtare, integrimi në organizata ndërkombëtare. Kjo pra është, dhe ta relaksojë çështjen edhe me Serbinë. Në anën tjetër, normalisht se ndoshta duhet disa të drejta më shumë t’i jepen komunitetit serb në Kosovë. Nuk e shoh as atë problematike, nuk është diçka që nuk ekziston në shtete tjera, por mendoj se aty duhet të gjendet një kompromis minimal dhe të shkohet drejt një përfundimi për të cilin besoj se do të kishte qenë shumë i suksesshëm për të gjithë”, deklaroi Abazoviqi.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq është duke qëndruar në vizitë tre-ditore në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disfatat e njëpasnjëshme në Ukrainë i kanë shkaktuar ushtrisë ruse…