Bislimi: Shtyrja e zgjedhjeve në veri nuk është opsion i mirë

14 prill 2023 | 10:56

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se shtyrja e zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe, nuk është një opsion i mirë.

Në intervistën për “Zërin e Amerikës” ai tha se shtyrja do të ishte në interes të atyre që mendojnë se veriu në këtë moment duhet të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave.

“Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë është që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave dhe jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve. Për momentin protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është z. Vuçiq i cili edhe kërkon koncesione për pjesëmarrjen në zgjedhje”, ka thënë Bislimi.

Bislimi tha ndër të tjera se Kosova dhe Serbia nuk po bien dakord mbi strukturën që duhet të ketë Komiteti i Përbashkët Monitorues për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ngritja e të cilit, duhet të bëhet deri më 18 prill.

Sipas tij, Prishtina mendon se personat që udhëheqin grupin, duhet të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët, ndryshe nga qëndrimi i Beogradit.

Ai tha se i emëruari i Kosovës për drejtimin e Komitetit është ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi i Superligës A, meshkujt, Peja ka siguruar…