Atdhetar dhe luftëtar i papërkulur për Republikën e Kosovës 

19 prill 2023 | 14:31

Shkruan: Imer Lladrovci

Nobelisti amerikan Ernest Heminguej  romanit të tij „Për kë bien këmbanat“ ia ka vënë në ballë si moto disa fjali  të Xhon Donit ku thuhet se askush nuk është një ishull, vetëm për veten e tij, por  pjesë e kontinentit, e një tërësie më të madhe se vetja.  Xhon Doni dhe përmes tij Heminguej thotë se “vdekja e një njeriu më bën më të vogël, dhe prandaj mos pyet kurrë, për kë bien këmbanat, ato bien për ty“.  Edhe sot këmbanat bien për ne që jemi bërë më të vegjël pas ikjes në amshim të atdhetarit të flaktë Avdurrahman Sadiku-Plaku. Në këtë kënetë ku jetojmë dhe dëgjojmë britmat e ndryshme të bretkosave ideologjike me të vërtetë kjo vdekje na ka bëtë më të vegjël, ndaj dhe këmbanat nuk duhet të pushojnë së rëni: PËR NE.

Dihet se kush është lindur, një ditë do të vdes. Ky është një ligj i hekurt i natyrës që nuk njeh asnjë përjashtim. Vdekja është një proces i natyrshëm sikundër edhe vetë lindja, jeta, pjesë e kësaj bote në lëvizje që ndryshon vazhdimisht. E megjithatë në këtë moment tronditës për një çast kuptojmë   se edhe vdekjet nuk janë njësoj, njerëzit jetojnë dhe vdesin secili në mënyrën e tyre. Jeta e bacës Avdurrahman ishte jetë e mirëfilltë shqiptare, dinjitoze. Thënia shqipe „ka ndërruar jetë“ në këtë rast peshon rëndë. Fjalët nuk numërohen, ato peshojnë, thuhet në popull.   Burra të tillë si baca Avdurrahman nuk vdesin kurrë.

Jeta e bacës Avdurrahman ishte shumë e vështirë që në fillesë. E tillë ajo ishte për të gjithë  shqiptarët. Serbia e bashkë me të Jugosllavia kishin një urrejtje patologjike ndaj tyre, gjë që duket menjëherë, „pas çlirimit“. Përdorimi i thonjëzave për këtë togfjalësh është domosdoshëm, sepse  ky nuk ishte aspak çlirim. Rikthimi i Serbisë në Kosovë i kishte të gjitha parametrat e pushtimit klasik. Familja e Avdurrahman Sadikut e përjetoi si të tillë. Zoti i shtëpisë u vra në luftë kundër serbëve pushtues, anëtarët e tjerë të familjes ikën nga vendlindja në rrethin e Vushtrrisë dhe pastaj më tej në Drenicë, në Drenas. Kjo familje kudo u prit mirë, edhe pse vetë mikpritësit kishin probleme të mëdha, por jeta jashtë shtëpisë tënde gjithmonë është e vështirë. Avdurrahman Sadiku, i lindur me 20 shkurt 1940, ishte fëmijë i vogël, por në gjendje  për ta kuptuar fatin e zi të Kosovës, e cila në vitin 1945  po hynte në një natë të errët robërie të re serbe.  Pas shumë shtegtimesh dhe krajatash, familja Sadiku, më në fund, u kthye në Dvorisht, në Llapin e dërmuar nga dhuna dhe varfëria.

Ekonomia përdorej nga shteti si një armë politike. Beogradi e thirri në shërbim përsëri ekspertin e shpërnguljeve, autorin e “Iseljavanje arnauta“, racistin Vasa Čubrilović për të bërë një elaborat të ri. Vasa Čubrilović-in komunistët e bën ministër, ujkut të moçëm kundër shqiptar i vunë mëlçitë në qafë. Ç’na duhen gjithë këta shqiptarë jo sllav në shtetin tonë të sllavëve të jugut, duhet të ketë qenë mendimi i parë i ministrit të ri federal. Ishte kohë tepër e vështirë. Shumë shqiptarë ikën nga Kosova në pjesë të tjera të Jugosllavisë për të siguruar për familjet e tyre në nevojë mjete jetese, në fakt mbijetese. Pjesë e këtij realiteti trishtues shpejt do të bëhet edhe  baca Avdurrahman.  Si 17 vjeçar ai e filloi jetën e tij mërgimtare, fillimisht brenda Jugosllavisë. Kosova ishte në  pikëpamje të zhvillimit ekonomik  larg mesataresh jugosllave, në ndërkohë që në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore vetëm xehet e Trepçës përbënin 25% të eksportit jugosllav.

E varfër ajo nuk ishte, por e shtypur dhe e shfrytëzuar egërsisht. Mos zhvillimi i Kosovës nuk mund të shpjegohej me logjikën e ekonomisë, por me atë të politikës. Historia atë e kishte dërmuar, pushtimi turk kishte qenë një barrë e rëndë për të, por resurset e mëdha natyrore, mbi- e nëntokësore i siguronin asaj një zhvillim të shpejtë. Parullën, që e ka brohoritur shpesh edhe baca Avdurrahman nëpër demonstratat ku merrte pjesë, se „Trepça punon, Beogradi ndërtohet“ ishte një e vërtetë e madhe e jetës. Avdurrahman Sadiku i njihte pjesët e tjera të Jugosllavisë dhe e njihte Kosovën, kështu që për të nuk ishte e vështirë ta bënte dallimin.

Në fund të viteve 1960  u hap rruga e mërgimit për në Evropën Perëndimore. Mërgimi ishte një plagë e thellë, e njohur qysh në kohën e Perandorisë Osmane. Tani kishte ndryshuar kahja e mërgimit, nuk ishte më Lindja caku i tij, por Perëndimi, sipas rilindësit Sami Frashëri atje ku për ne lind dielli. Beogradi tani në vitet 1960-1970 nuk mund të bënte më një marrëveshje të re shpërnguljesh masive të shqiptarëve  në Turqi si atë të vitit 1956 në Shkup mes ministrave të jashtëm , atij jugosllav Koćo Popović dhe ministrit të jashtëm turk Mehmet Fuat Këprülü.  Megjithëkëtë Jugosllavia, para së gjithash Serbia  shpresonte se e kishte gjetur mënyrën për ta zbrazur Kosovën nga shqiptarët, përmes një spastrim etnik të bardhë, pa armë e dhunë të dukshme. Avdurrahman Sadiku në këtë kohë ishte vetëm 32 vjeç. Erdhi  në Gjermani në Bad Godesberg, afër kryeqytetit të Gjermanisë Federale Bonn. Pastaj ai u zhvendos në Düsseldorf në fabrikën Mannesmann dhe pas 6 vitesh shkoi në rrethinat e Stuttgart-it, në Sindelfingen ku kishte gjetur punë  në një fabrikë të auto industrisë gjermane. Në këtë fabrikë ai do të punojë  për 26 vjet me radhë, deri në pension.

Në Düsseldorf Avdurrahman Sadiku-Plaku do të bie  në kontakt me qarqet atdhetare, me disa bashkatdhetarë nga Kabashi i Prizrenit, Jezerci i Ferizajt dhe Drenica. Merr prej tyre libra e revista, të cilat i lexon dhe i shpërndanë mes shqiptarëve të tjerë gastarbajterë. Shqipëria ishte ndarë, këtë gjë ai nuk mund ta pranonte kurrë.  Veprimtaria atdhetare e bacës Avdurrahman në këtë kohë është e lidhur me klubin shqiptar “Emin Duraku“, por ai tashmë e kishte kaluar Rubikonin, veprimtaria e tij atdhetare nuk do të pushojë më kurrë deri në fund të jetës së tij. Ishte viti 1979 kur ai u vendos në Sindelfingen. Ky vit, sipas historianit Franz Bosch, është një vit vendimtar për gjithë botën. Në vjedhtë të këtij viti bëhen  arrestime të mëdha në Kosovë, vetë Josip Broz Tito u detyrua të vinte në Prishtinë për ta parë me sytë e tij gjendjen e re.

Janë të njohurat fjalët e tij në Karadjordjev kundër Eduard Kardelit që e hartoi kushtetutën e vitit 1974 që Kosovën e bënte  element  konstitutiv në Federatën Jugosllave. Franz Bosch ka të drejtë kur shkruan se më 1979 po  lindte një botë e re, ajo e sotmja. Pikërisht në këtë vit baca Avdurrahman vjen në Sindelfingen, jo larg Ludwigsburg-ut ku ishte vendosur Jusuf Gërvalla, pas ikjes nga Prishtina. Avdurrahman Sadiku-Plaku pati rastin të përshëndetet me të në publik, pa e ditur fillimisht se kush ishte ai dhe ç ‘përfaqësonte. Më vonë do ta marrë vesh se kishte përshëndetur një lider unik kombëtar.që shpejt do të vritet. Në vendbanimin e ri Avdurrahman Sadiku-Plaku njihet me Mehdi Rexhën dhe përmes tij me Hysen Gegën, Nuhi Sylejmanin, Shaban Klaiqin, Hismet Klaiqin, Esat Dushincën, Smajl Qirezin, Halil Rexhën, Islam Rafunën e shumë atdhetarë të tjerë që kanë vepruar për vite të tëra në kuadër të celulës së Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Pas vitit 1981 Avdurrahman Sadiku-Plaku nuk do të mungojë në asnjë demonstratë të madhe në Gjermani dhe në shtetet e tjera perëndimore. Atë e gjejmë si demonstrues në Zürich, Stuttgard, München, Frankfurt, Bonn, Vienë, Straßburg, Bern, Bruksel, etj.  Kështu ishte bërë një emër i njohur për pëgaqësitë diplomatike të Jugosllavisë në Perëndim. Konsullatat jugosllave atëbotë vëzhgonin aktivitetin e atdhetarëve shqiptarë me imtësi.  Unë besoj se në Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë dhe në UDB duhet të ekzistojnë dosje të posaçme për të. Si veprimtar për kauzën shqiptare Avdurrahman Sadiku-Plaku kishte rënë në sy më së voni nga momenti kur në aktivitetin e organizuar në Sindelfingen në vitin 1981, në Stadthalle, nga Konsullata Jugosllave në Stuttgart filloi me brohoritjet “Kosova Republikë“.

Kështu, aktiviteti që ishte planifikuar për të mashtruar shqiptarët dështoi plotësisht falë këtij grupi  të atdhetarëve të guximshëm ku bënte pjesë edhe Avdurrahman Sadiku-Plaku. Grupi i Sindelfingen-it ishte jashtëzakonisht  aktiv në këtë kohë,  por vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës do ta ndryshojë klimën e përgjithshme në mesin e mërgimtarëve tanë. Aktiviteti atdhetar bie në mënyrë rapide. Me këtë synim ishin vrarë liderët shqiptarë, kështu që pasojat ishin të mëdha dhe të parashikueshme. Por ato nuk ishin të përjetshme. Pa dyshim që kjo gjendje konfuze që u krijua pas atentateve të 17 janarit 1982 e goditi rëndë shpirtërisht  bacën Avdurrahman dhe rrethin e shokëve të tij të organizuar. Megjithatë ai nuk do të ndalet, por do të veprojë si atdhetar me vendosmëri edhe më të madhe se më parë. Testamenti politik që kishin lënë Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nuk mund ta tradhtohej. Avdurrahman Sadiku – Plaku vazhdon punën për bashkimin e shqiptarëve, kështu  në vitin 1983 së bashku me veprimtarët e tjerë themelojnë klubin  “Isa Boletini“ në Sindelfingen, klub ky që e mbajti të gjallë frymën patriotike në këto vite jashtëzakonisht të vështira.

Koha kalon, por qëllimet nuk ndryshojnë. Vie viti 1989. Muri i Berlinit bie e bashkë me të edhe Perdja e Hekurt që e ndante Evropën.  Jugosllavia hyri në një krizë të rëndë ekzistenciale të shpërbërjes së saj. Në vitin 1989 filloi pluralizmi partiak, u formuan shumë parti gjithandej, në Kosovë brenda pak ditësh ra Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë dhe në vend të saj doli një parti shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Në vitin 1991 Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia dolën në federata, kurse Bosnja e Hercegovina me 1 mars 1992 e shpallë pavarësinë e saj. Filluan luftërat e përgjakshme në pjesë veriperëndimore të Jugosllavisë. Në vitin 1996 paraqitet Ushtria Çlirimtare e Kosovës me një varg aksionesh guerile, kurse me 5-8 mars 1998 Familja Jashari në Prekaz zhvillon tre ditë luftë me njësitet speciale ushtarako-policore serbe dhe pas kësaj epopeje gjithë Kosova ngrihet në këmbë, fillon Kryengritja e përgjithshme shqiptare. Me 24 mars 1999 fillojnë bombardimet e NATO-së mbi Jugosllavinë e cunguar, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.

Lufta merr fund me marrëveshjen e Kunanovës ku gjithçka kishte filluar në vitin 1913. Me 12 qershor 1999 hynë trupat tokësore të NATO-së në Kosovë dhe merr fund përfundimisht pushtimi serb i Kosovës. Baca Avdurrahman  gjatë gjithë kësaj kohe ishte në shërbim të popullit dhe atdheut të tij. Kur LDK-ja e filloi aktivitetin e saj partiak në diasporë, Avdurrahman Sadiku-Plaku jep një  ndihmesë të madhe në  aktivitetet e   ndryshme të LDK-së në Sindelfingen dhe Biblingen me rrethinë,  zgjidhet  edhe anëtar i kryesisë së LDK-së në këtë rajon. Gjatë asaj kohe në aktivitetet e përbashkëta të Klubit “Isa Boletini” dhe Aktivit të LDK-së grumbullohen 17.000 DM  për RTP-në dhe 18.000 DM  për Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve të Kosovës. Për ata që e kanë jetuar këtë kohë të stuhishme është e qartë përse mblidheshin këto të holla.

Serbët e mbyllën Radiotelevizionin e Prishtinës dhe gazetën e përditshme “Rilindja“, kështu Kosova ra në terr informativ, kurse pas grevës së madhe të 3 shtatorit në vitin 1990 i larguan të gjithë punëtorët shqiptar nga puna, nga administrata shtetërore dhe sektorët e tjerë. Miloshević-i synonte t’i gjunjëzonte shqiptarët me uri. Në këto rrethana bashkatdhetarët tanë në Sindelfingen e panë të domosdoshme dhe madje urgjente mbledhjen e ndihmave financiare për RTP-në dhe Sindikatën. Baca Avdurrahman ishte direkt i involvuar në këtë aksion. Paratë e mbledhura në Sindelfingen u dërguan në Prishtinë përmes Ruzhdi Toskut që ishte një mik i besuar i bacës Avdurrahman, sepse ai vetë nuk guxonte të udhëtonte në Kosovë për shkak  se atje do të arrestohej menjëherë nga shteti serb.

Veprimtaria e gjatë dhe e pasur, në kuadër të Klubit “Isa Boletini“ e bacës Avdurrahman  do të vazhdonte deri në muajin korrik të vitit 1995 kur do të mbahej  Kuvendi i parakohshëm zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së re të Klubit “Isa Boletini“, i cili më pas do të transformohej në Shoqatë. Lidhja e bacës Avdurrahman me Shoqatën  ka qenë e ngushtë, kështu që  ajo ka vazhduar deri në fund  të jetës së tij. Për këtë arsye Kryesia e Shoqatës, në shenjë respekti ndaj veprimtarisë dhe personalitetit të  Avdurrahman Sadikut e ka shpallur atë anëtar nderi të saj. Tani e ka radhën qyteti i Besianës ta nderojë këtë atdhetar me emrin e ndonjë rruge. Sigurisht këtë obligim në radhë të parë e ka fshati Dvorisht ku është lindur ai.

Këtë shkrim përkujtimor do të doja ta mbyllja me  disa fjalë për lidhjet e mia personale me bacën Avdurrahman. Përsa kohë kam qenë si shef i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart, Abdurrahman Sadiku-Plaku ka qenë një mysafir dhe kontributor i nderuar.

Me 20 prill të vitit 2020 baca Avdurrahman mori pjesë në Simpoziumin që iu kushtua 40 vjetorit të demonstratave në Kosovë.  Duke i kujtuar punën dhe sakrificat e brezit të bacës Avdurrahman ne bëjmë diçka që është detyrim moral ndaj këtyre atdhetarëve dhe në të njëjtën kohë e mprehim vetëdijen tonë për parakushtet e lirisë që gëzojmë sot. Nuk kemi asgjë sot, për të cilën të mos ketë punuar e luftuar dikush tjetër para nesh për të.  Ky shtet që kemi sot është rezultat edhe i punës së veprimtarëve si baca Avdurrahman që kurrë nuk kurseu asgjë për lirinë tonë kombëtare.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për veprimtarinë e Avdurrahman Sadikut-Plakut!

Ne përkulemi para veprës dhe idealeve të tij!

Autori është, ish diplomat karriere dhe udhëheqës i Konsullatës se Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stuttgart.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është vrarë në Shëngjin. Ende nuk dihen rrethanat…