Lideri i PDK-së: Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë

19 prill 2023 | 19:16

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se arrestimi i sotëm i kryeshefit të KEK-ut, ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, është dëshmia më e mirë e asaj që kanë thënë për muaj të tërë se qeveria Kurti, abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që e kanë instaluar në këtë sektor.

“Kryeminisitri Kurti duhet të deklarohet menjëherë per arrestimin e sotëm të mikut dhe bashkëpartiakut të tij, sepse sot e ka momentin të flasë për bojlera e filtera, që pretendonte se i kupton mirë e që sot po vërtetohet se në emër të tyre janë keqpërdorur miliona euro nga vartësit e tij”.

“Abuzimet e Qeverisë Kurti me tërë zingjirin e sektorit të energjisë, prej prodhimit e deri te konsumi i saj, nuk janë as të rastësishme dhe as pa dashje”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike për mbi 100% vitin e kaluar, rritja e dytë për 15% para pak ditësh, pagesa në mënyrë joligjore e mbi 100 milionë eurove për faturat e serbëve në veri, bllokimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, si dhe shitja e lirë e blerja e shtrenjtë e energjisë, lënë dyshime se janë pjesë e një piramide korruptive të krijuar nga qeveria Kurti e në krye të së cilës qëndron ambasadori me aktakuzë i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili, sipas Krasniqit, është boshti i aferës më të madhe korruptive rajonale të tregtimit të energjisë dhe shpërlarjes së parave.

“Pas këtyre fakteve të reja, përkundër dëshmive që i kanë dhënë në Komisionin Hetimor Parlamentar, tani po vërtetohen edhe takimet sekrete që Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar sot, kishte muaj më parë me Ambasadorin Martin Berishaj dhe tregtarë të tjerë të energjisë në Zagreb”.

“Ftoj Prokurorinë e Kosovës dhe të gjitha organet përgjegjëse që me seriozitetin më të lartë ta procedojnë rastin e sotëm, dhe, një herë e mirë, të gjithë të përfshirët në këto skandale korruptive zingjirore t’i nxjerrin para drejtësisë”, ka theksuar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka treguar për…