BE-ja kërkon që marrëveshja Kosovë-Serbi të bazohet në të drejtën ndërkombëtare

05 gusht 2018 | 17:00

Bashkimi Evropian (BE) është deklaruar për herë të parë rreth idesë për korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së BE-së për politikë të jashtme , Federica Mogherini, në një përgjigje për “Vizion Plus”, ka thënë se arritja e një zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve, nënkupton një marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Kocijanciq, palët po përcaktojnë bazën për pajtim të përbashkët.

“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet të dyja palëve që i ndihmon të arrijnë përparim në rrugën drejt Evropës dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve. Një zgjidhje e qëndrueshme nënkupton një zgjidhje realiste bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Palët po përcaktojnë bazën për pajtim te përbashkët”, ka thënë Kocijançiq.

Më tutje, ajo ka theksuar se në takimin e fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit është rishikuar përparimi i arritur deri më tani në fazën e dialogut, dhe se të dy presidentët kanë rënë dakord që të takohen përsëri në fillim të shtatorit.

“Gjatë dialogut të thirrur nga përfaqësuesja e nivelit të lartë Fedecika Mogherini në 24 qershor 2018 presidentët Thaçi dhe Vuçiq zhvilluan një diskutim intensiv dhe produktiv në kuadrin e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ata ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme. Në takimin e fundit të dialogut ku përfaqësuesja e lartë priti të dy presidentët më 18 korrik, ata rishikuan përparimin e arritur dhe ranë dakord të takohen sërish në fillim të shtatorit”, ka thënë Kociançiq.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tash e një kohë ka përmendur korrigjimin e kufijve të Kosovës, duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë asnjëherë ndarje apo shkëmbim i territoreve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Epoka e re” e AC Milan është përforcuar më tej…