Sveçla: Të dielën është mundësia që grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiqit të marrin përgjigjen

22 prill 2023 | 16:58

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se qytetarët e komunitetit serb janë duke vazhduar të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion iu kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Ai ka thënë se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre.

“Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, ka shkruar ministri Sveçla.

Ai ka thënë se nesër do të mbahet procesi zgjedhor në katër komunat veriore, dhe sipas tij, përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, qytetarët duhet të marrin pjesë në votim.

“Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 150 milionë euro investime të planifikuara në dy projekte…