![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/04/skenderrusi.png)
Poezi nga Skënder Rusi
DHURATË
Të dhashë ditët e mia më të bukura
Dhe vetë mbeta pa ditë
Midis tyre ka dhe ditë të humbura
Ditë të lodhura nga marrëzitë
T’i dhashë netët e mia çapkëne
Që i ruaja t’i kisha për vete
Ato vdesin njëra pas tjetrës
Si zjarret në duart e njerëzve
Zjarret e mi janë të vegjël
Po të mjaftueshëm për t’u ngrohur
Nuk dua asgjë të më kthehet
Paçka se ndihem i lodhur
T’i dhashë ditët e mia më të bukura
Që do të vijnë me mua përtej kësaj jete
Secila prej tyre është një hënë delikate
Që fillon e dridhet po e preke
BURRI ME ÇADËR GRUAJE
Sa herë që nis shiu në këtë qytet
Shfaqet një burrë me çadër gruaje
Ai e mban qiellin e lagur mbi supe
Dhe mungesën e saj të madhe
Ajo që ishte për të aq e dashur
Ka ikur larg, nën një tjetër shi
Ai e hap çadrën jo që të mos laget
Që t’i duket sikur me të po shëtit
Se kështu e ndien sikur dorën ia prek
O ç’dorë që dridhej brenda asaj çadre
Ajo s’është më, po ai asaj i flet
Siç mund t’i flitet vetëm një gruaje
DORË E DASHUR
Po bëhen 100 vjet që ke nisur e dridhesh
Si të ishe fluger që tregon drejtimin e erës
Aq sa tani unë kam krijuar bindjen
Që s’je pjesë e krahut, por je pjesë e zemrës
Se vetëm brenda saj gjithnjë fryjnë erëra
E vijnë ca dimra që nuk duan të ikin
Po ti, e vogla ime, mos u fshih nëpër xhepa
As mos ki turp nga sy që të bezdisin
Se je dorë poeti dhe kjo nuk është pak
Gjithnjë veç ngrohtësi u ke falur njerëzve
Gjithnjë e ke urryer dashurinë fals
Dhe shtrëngimin fals me duart e të tjerëve
Dorë e dashur, e di që të kam lodhur
Në 100 vjet kam bërë 1 000 marrëzi
Por asnjëherë më dimër s’jam ndodhur
Sesa kur dridhesh ti
NJË GRUA E ÇUDITSHME
U dashurova me një grua pothuajse të bukur
Ajo herë-herë është pothuajse e çuditshme
I pëlqen sidomos shtëpia e muzgut
Ku gjithçka është pothuajse lunatike
U dashurova me një grua pothuajse të këndshme
Ajo herë-herë është pothuajse e pazakonshme
Është e paarsye po unë, pikërisht për këtë
E kam ngritur kasollen në pyllin e saj të flokëve
U dashurova me një grua pothuajse të rrallë
Ajo herë-herë është pothuajse e pakuptimtë
Njëlloj si unë që jam kjo re e bardhë
Që e mbështjell të gjithën se s’dua të më ikë
NATA S’ËSHTË GJITHNJË E ZEZË
Dhe nata s’është gjithnjë e zezë
Ju pyesni në qiellin lart
Ca zjarre të shuar përsëri u ndezën
Dhe zogjtë fluturojnë si më parë
Ende jemi në shtëpinë e dimrit
Çdo gjë ka vdekur nën dëborë
Duam dhe s’duam të na ikë
Dhe le të vijë kush të dojë
Unë ju them sot ejani me mua
Edhe mbi shpinë do t’ju mbaj
Do të nisemi natën e do të arrijmë pa gdhirë
Për t’u nisur në rrugë prapë
Unë jam bërë një me natën
Në kokë një pjesë të saj kam futur
Dhe zogjtë u bënë përsëri të kaltër
Dhe nata e zezë përsëri e bukur