Babai i çon marihuanë djalit që po vuan dënimin në Burgun e Dubravës, kapet në flagrancë

24 prill 2023 | 12:11

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.

Kështu ka ndodhur edhe dje në orët e pasdites, kur një burrë ka përfunduar në Polici pasi dyshohet se ka tentuar t’i jap substanca narkotike djalit të tij që po vuante dënimin në Burgun e Dubravës.

I dyshuari kishte shkuar për vizitë te i burgosuri dhe tentoi ta ‘furnizojë’ me drogë, të llojit marihuanë dhe kokainë. Por plani ka dështuar, pasi ai është kapur nga oficerët korrektues, pasi e kontrolluan, duke ia gjetur kështu qeset me drogë të fshehura në rroba.

Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, ku u sekuestrua droga, teksa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.

Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar edhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vëllai i Madh u ka dhënë një sfidë banorëve në…