Ja çfarë shkruante heroi Bahri Fazliu për heroin Fadil Vata

25 prill 2023 | 10:39

Me rastin e 33-vjetorit të vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Fadil Vatës, për lexuesit e gazetës “Epoka e re” ribotojmë një shkrim të heroit të Kosovës, Bahri Fazliut kushtuar heroit të Kosovës, Fadil Vata, i cili ishte botuar në vitin 1996.

KURRË I NËNSHTRUAR (Në përkujtim të Fadil Vatës)

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Fadil Vata, po e sjellim një shkrim të dëshmorit të kombit, Bahri Fazliu.

Për tokë, për gjuhë, për nder ne kurrë s’jemi ngopur nga vdekjet.
Thonë s’u nënshtrua kurrë. Luftoi në çdo çast të jetës së tij. Thonë se e kanë parë duke luftuar edhe tani me shokët e tij, heronjtë. Thonë…
Po, dheu nuk i mban heronjtë, kur të gjallët nuk e mbajnë dheun. Luftojnë të vdekurit e pavdekshëm për t’i ngjallur të gjallët e vdekur. Është lufta më e madhe, më e shenjtë, më e çuditshme që ka parë bota.
S’iu nënshtrua burgut, s’iu nënshtrua sëmundjes, s’iu nënshtrua Serbisë.
Atë që vdes duke mos pranuar nënshtrimin, vdekja e bënë të pamposhtur.
Populli i robëruar duhet të vajtohet në rast se i mungojnë heronjtë e jo nëse për çdo ditë jep heronj. Madhështia e heronjve s’e lejon në nënshtrohet kurrë një popull.
Thonë vdiq me buzëqeshje në gojë. Po. Ai që ka besim në popullin e vet, s’mund të vdes ndryshe. Ai që tërë jetën jeton i pazgjidhshëm me popullin, e kupton se jeta e tij vazhdon me jetën e popullit. E një popull që rrit bij si Fadili, nuk vdes kurrë.
“Lufta jonë të mbështetet në forcat tona” – sfidon Fadili qenien tonë sot.
Është e tmerrshme për një popull kur flaka e qëndresës peshon mbi dëshmorët.
I vrari nga dora e gjatë gjakatare, sfidon fodullët e sotëm të rregulluar në pëllëmbët e xhelatëve.
Thonë…
Po, po Fadilin nuk po e mban varri. Nuk ka gjumë ai përderisa të mos zgjojë nga gjumi të gjallët. Fuqishëm jehon zëri i tij: zgjohuni, ju, o të pushtuar!
Gazeta “Çlirimi”, Prill 1996
Lavdi jetës dhe veprës së heroit të kombit Fadil Vata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Certifikimi konfirmon se gjashtë modele Neo QLED 8K dhe Neo…