Kurti: Në takimin e Ohrit kam pranuar ta shkruaj draft-statutin e asociacionit, më refuzuan

25 prill 2023 | 16:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka folur përsëri në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm që vet ta shkruaj draft-statutin e asociacionit, por sipas tij, një gjë e tillë nuk është pranuar nga palët në takimin e Ohrit.

“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë, por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, është deklaruar Kurti, duke shtuar se në grupin punues për asociacionin nuk ka ndonjë anëtarë nga Qeveria e Kosovës.

“Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak. Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim, i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane. I përket ekipit menaxhues që të shfaqet, por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre, por që nuk kanë pranuar”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka folur edhe me mbajtjen e zgjedhjet në veri të Kosovës.

“Ne kemi bërë fushatë vazhdimisht. Unë kam pasur takime dhe fushata është zhvilluar nga kandidatët për kryetar të komunave atje. Mirëpo fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës moti nuk ka pasur e udhëhequr e financuar nga Beogradi dhe ekzekutuar nga elemente kriminale”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur shqiptare, Filloreta Raçi – Fifi, është bërë…