Osmani kërkon që Serbisë t’i bëhet presion që ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit

26 prill 2023 | 13:05

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë të Kosovës që t’i bëjnë presion Serbisë, që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë “shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër.

Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Ajo tha se në rundin e ri të dialogut, që mbahet më 2 maj në Bruksel, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur.

“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, pak a shumë mund t’i nuhasim nga deklaratat e fundit, e mbi të gjitha nga veprimet të cilat kanë qenë shkelje e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër. Siç e dini, neni 4 i kësaj marrëveshjeje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante. Natyrisht, edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është edhe shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje”, tha Osmani gjatë konferencës për medie me homologun e saj maqedonas, Stevo Pendarovski.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar të mërkurën Maqedoninë e Veriut.…