Albatros Rexhaj: Në Prishtinë jetojmë akoma me idenë se lufta mund të ndodhë nesër

29 prill 2023 | 20:14

Duke folur në emisionin “Arnautistan”, ai kujtoi se në fillim të viteve ‘90-të kur filluan lëvizjet, ka pasur situata komike.

“Ne në Kosovë hoqëm dorë nga mirëqenia, edhe pse në krahasim me Shqipërinë, Bullgarinë e Greqinë, kemi jetuar shumë mirë. Në vitet ‘78-‘79 kam qenë 3 vjeç dhe ika me pushime me avion, por ne vendosëm të hiqnim dorë nga mirëqenia për lirinë, se ishte më e rëndësishme se mirëqenia.

Brenda tre muajve ra ekonomia shumë keq. Kur ishim në kontakt me shqiptarët që kishin dalë nga diktatura ata thoshin se flamuri është leckë. Ata vinin me ide të tjera dhe koncepte të tjera mbi lirinë. Për ta liria ishte tjetër, për ne ishte tjetër.

Në Prishtinë ne jetojmë akoma me idenë se lufta mund të ndodhë nesër dhe se armiku nuk fle. Ndërsa kur i diskutoj me miq në Tiranë, më thonë se e teproj. Nuk e teproj, se armiku është armik deri sa të ketë garanci për paqe.

Shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë ndjerë rrezik real të sundimit të huaj prej mbi 100 vitesh dhe shqiptarët e Shqipërisë ndihen të sigurtë brenda kufijve të Shqipërisë. Por kjo nuk vlen për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë janë në teh, se pa u qartësuar gjërat mirë, rreziku është real.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë objekte përcjellëse të të njëjtit institucion, e edhe dukja…