BKT-ja shtrenjton tarifat për shërbime bankare nga 1 maji

01 maj 2023 | 23:58

Klientët e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), njërës prej bankave komerciale në Kosovë, nga muaj maj do të paguajnë tarifa me rritje për mirëmbajtje të llogarisë bankare.

Nga 1 euro, kjo tarifë do të rritet në 1.5 euro për muaj. 

Shërbimi i tillë do të hyjë në fuqi nga sot (e hënë) data 1 maj 2023. 

Llogaria rrjedhëse për Pagamarrës prej 1 euro, nga 1 maj është shtrenjtuar në 1. 5 euro.

Ndërsa, llogaria rrjedhëse Standarde nga 1.5 euro do të shtrenjtohet në 2 euro.

BKT i ka paralajmëruar klientët për këtë ndryshim të çmimorës përmes mesazheve telefonike dhe një njoftimi në ueb-faqen e saj zyrtare.

“I/E nderuar, ju njoftojmë se nga 01.05.2023 çmimorja e bankës për klientë individual do të ndryshojë. Për më shumë informata vizitoni https://bkt-ks.com/k7hiF”, thuhet në njoftimin e BKT-së përmes mesazheve telefonike.

BKT nuk është përgjigjur për KosovaPress lidhur me paralajmërimin e ndryshimit të çmimorës për klientët indivodual.

Mirëmbajtja e llogarisë bankare në tregun e Kosovës kushton deri në 5 euro.

Përveç për mirëmbajtje të llogarisë, qytetarët në të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë duhet të paguajnë para edhe për tërheqje të pagës, transfere dhe shërbime tjera.

Bankat në Kosovë përveç për mirëmbajtje të llogarisë, aplikojnë tarifa për klientët edhe për tërheqjen e parave. 

Çmimi varion nga ajo nëse tërheqja bëhet në sportelet e bankave, që janë dukshëm tarifa më të larta, në bankomatët brenda degëve apo në bankomatët që janë në pika të ndryshme të qyteteve.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shërbimet financiare në vend janë shtrenjtuar për 1.8%. 

Ndërsa, fitimi i pastër i bankave komerciale në vend sipas publikimit të fundit të BQK-së për muajin shkurt 2023 ishte 25.2 milionë euro.

Kështu, bankat komerciale vazhdojnë t’i rrisin fitimet e tyre enorme për çdo vit.

Gjatë vitit 2022, sipas raportit të BQK-së, sektori bankar ka arritur të siguroi profit të lartë financiar, 140.3 milionë euro apo rreth 23 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ndodhet në Bruksel, ku…