Artistja shpjegon çfarë fshihet pas kësaj pikture

02 maj 2023 | 08:10

Ndërsa liderët e Kosovës dhe Serbisë po përgatiten të takohen të martën në Bruksel në bisedimet e ardhshme të ndërmjetësuara nga BE, një artiste e re nga Kosova ka zbuluar punimin e saj më të fundit, një pikturë kontroverse e  të dy liderëve duke u puthur në mënyrë pasionante.

Murati, e njohur edhe si “Vajza Portokalli” tha se projekti i saj, i titulluar “Puthja”, simbolizon se sa e afërt mund të jetë marrëdhënia mes dy palëve nëse bisedimet do të kenë sukses.

“Kurtin dhe Vuçiç i shoh si një shfaqje, të dy janë në një spektakël, luajnë rolin e tyre si drejtues të jashtëm  edhe pse kanë një rol të rëndësishëm, por në fakt ne (populli) është protagonisti i shfaqjes, që vendos se si duhet të luhet gjithçka.

“Në pikturë, Kurti dhe Vuçiç janë shumë afër njëri-tjetrit. Në 2 maj ata do të takohen sërish. Mendoj se duke i krahasuar me pikturën ku janë shumë afër, të dyve u duhen edhe disa takime për t’u afruar pikërisht si në pikturë. Pra, kështu është mënyra se si e shoh unë”, shpjegoi artistja.

“Nëse bëhet ky bashkim dhe lihen menjë-anë të gjitha polemikat dhe mosmarrëveshjet që janë krijuar, atëherë do të kemi këtë përqafim të sinqertë dhe kjo marrëdhënie mes tyre ndoshta në të ardhmen do të jetë shumë e mirë, dhe njerëzit do të mund të përfitojnë nga qasja e tyre”, tha ajo.

Piktura është kritikuar gjerësisht në rrjetet sociale, por sipas Muratit është ende e bindur se të dyja palët mund të normalizojnë marrëdhëniet përmes dialogut. Bisedimet në Bruksel nuk do të jenë të lehta pasi zgjedhjet lokale në pjesën veriore të Kosovës me popullsi serbe u bojkotuan në masë të madhe nga votuesit serbë atje.

Si rezultat, u zgjodhën shqiptarët etnikë. Zgjedhjet kanë shkaktuar tensione etnike dhe frikë për incidente të mundshme.

Vuçiç javën e kaluar kritikoi zyrtarët perëndimorë që po ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues.

Ai tha se “ndoshta” do të marrë pjesë në bisedime pavarësisht se “nuk pret asgjë” nga ai takim. Por analisti politik, Artan Muhaxheri, tha se ndërkombëtarët do t’i bindin të dyja palët që të vazhdojnë bisedimet.

“Mendoj se ndërkombëtarët do t’i bëjnë presion edhe kryeministrit Kurti edhe presidentit Vuçiç që të vazhdojnë me qasjen konstruktive, sepse kjo është e vetmja rrugë përpara”, tha ai.

Lufta e viteve 1998-1999 shpërtheu kur shqiptarët etnikë separatistë u rebeluan kundër sundimit të Serbisë dhe Beogradi u përgjigj me një goditje brutale.

Rreth 13,000 njerëz vdiqën, kryesisht shqiptarë etnikë. Në vitin 1999, një ndërhyrje ushtarake e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Tensionet nuk janë ndalur që atëherë. Pavarësia e Kosovës njihet nga shumë vende perëndimore, por është kundërshtuar  nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE kanë bërë pak përparim në vitet e fundit, megjithëse udhëheqësit e tyre muajin e kaluar ranë dakord paraprakisht se si të zbatojnë një plan të sponsorizuar nga BE për të normalizuar marrëdhëniet pas dekadash tensionesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si e gjeti veten Boris Johnsoni duke vozitur i dehur…