Përleshje gjatë protestave të 1 majit në Francë, 108 policë të lënduar

02 maj 2023 | 08:17

Të paktën 108 zyrtarë policorë janë lënduar në përleshjet me protestuesit nëpër Francë të cilët ishin grumbulluar në qytete të ndryshme për të protestuar kundër reformave për pensione.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, i cili ka thënë se një numër kaq i madh i të lënduarve nga ana e policisë është një gjë jashtëzakonisht e rrallë.

Ai bëri me dije se 291 persona janë arrestuar gjatë trazirave.

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat e 1 Majit kundër reformave të presidentit Emmanuel Macron.

Shumica ishin paqësore, por grupet radikale hodhën bomba me benzinë dhe fishekzjarrë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Nuk dihet se sa protestues kanë mbetur të lënduar.

Kjo është dita e fundit e protestave masive kundër ndryshimeve që rrisin moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64. Sindikatat kërkojnë tërheqjen e kësaj reforme.

Ministria e Brendshme tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte 782.000, duke përfshirë 112.000 protestues në kryeqytetin Paris, por sindikata CGT thotë se shifra është trefish më e madhe.

Në Paris, një zyrtar policor pësoi djegie të rënda në duar dhe fytyrë kur u godit nga një bombë me benzinë.

Ngjashëm, skena të dhunshme u panë edhe në Lion dhe Nantes dhe pati raportime se protestuesit e pushtuan përkohësisht një hotel luksoz në qytetin jugor të Marsejës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale ka larguar…