‘Macroni i dërgoi mesazh të fortë Kurtit’, Escobari dhe zyrtari i BE-së flasin për ‘Financial Times’

07 maj 2023 | 13:12

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, në një përgjigje për gazetën britanike “Financial Times“, ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për Kosovën dhe Serbinë dhe se ShBA-ja, së bashku me Bashkimin Evropian, janë plotësisht të përkushtuara për të arritur një kompromis.

Kështu ka thënë diplomati amerikan kur është pyetur nga “Financial Times” nëse është zbehur e ardhmja e marrëveshjes së Ohrit pas takimit të fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, më 2 maj, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të lehtësuar nga BE-ja.

“Ka kaluar vetëm një muaj dhe tani po diskutojmë zbatimin”.

“Kemi pasur një nivel të vogël të progresit… BE-ja duhet të vazhdojë… për të bashkuar të dy palët dhe për të filluar kërkimin e zgjidhjeve të kompromisit”, ka thënë Escobar.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Gjithashtu, marrëveshja e arritur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut përcakton që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Megjithatë, ende nuk është arritur asnjë efekt në praktikë.

Një zyrtar i BE-së, në një përgjigje të shkurtë për gazetën britanike lidhur me procesin e dialogut, në kushte anonimiteti ka thënë se nga gushti i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti “ne ushtruam presion mbi të dyja palët në mënyrë të barabartë, masë për masë, pikë për pikë”, shkruan “AlbanianPost”

“Çdo palë mori pak dhe dhuroi pak. Ne po përpiqeshim të kënaqnim secilën palë”, tha zyrtari evropian, ndërsa tregoi se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë “ofensivës diplomatike” të janarit, ia kishte dhënë një mesazh të fortë kreut të ekzekutivit kosovar.

“Macron në një moment i dha një mesazh të fortë Kurtit: ju duhet ta bëni këtë një prioritet nëse doni që gjërat të përparojnë. Ai gjithashtu i tha atij se Kosova nuk mund të vazhdojë të kthehet prapa apo të ndryshojë pozicionet e saj”, ka treguar ai.

Nga BE-ja kanë thënë se hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë me paraqitjen e draft-statutit të këtij mekanizmi në takimin e 2 majit, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa presidenti Vuçiq ka kritikuar Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë” dhe vazhdoi me pretendimin se ky mekanizëm është “kusht mbi të gjitha kushtet”.

Qeveria e Kosovës në ndërkohë ka publikuar edhe draft-dokumentin me vizionin e kryeministrit Kurti për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjese bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues.

Ndërsa autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka pak ditë…