E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora! Një libër i veçantë dhe Ekrem Bardha që nuk njihja

07 maj 2023 | 19:03

Nga Bedri Islami

Mendimi i parë që të vjen në mendje, ndërsa lexon librin e fundit të zotit Ekrem Bardha, “E vërteta, pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” qëndron në faktin se sa pak kemi ditur për atë që ka ndodhur me një brez të shkëlqyer atdhetarësh, përgjithësisht larg Shqipërisë, të cilët, si pak kush, kanë bërë shumë më tepër nga sa mund të merret me mend.

Ka qenë thuajse e panjohur për ne bota e tyre, ndërtuar në një mënyrë krejt të veçantë, që, edhe pse në një kontinent tjetër, ata e sollën atdheun pranë vetes, krijuan atdheun e tyre, i cili nuk ishte vetëm ai që njohim, me malet, lumenjtë, hapësirat e luginave dhe rrafshnaltat, por shumë më tepër se kaq.

Ata ndërtuan atdheun e ideve, vizioneve, përkushtimeve, sakrificave, mendimit për të ardhur drejt tokës së bekuar nga e cila ishin larguar, ata vetë apo prindërit e gjyshërit e tyre.

Zoti Bardha është një ndër figurat më të shquara të diasporës shqiptare, jo vetëm në Amerikë, i ka bërë vend vetes me përkushtimin që ka treguar, duke sjellë dëshmi jete, më parë se t’i bënte dëshmi të një libri.

E pamundur ka qenë që ngjarjet famë mëdha të fund-shekullit të shkuar, që sollën rilindjen e kombit dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës, pa pasur përkushtimin maksimal do të thosha të pa kund shoq, që ndërmorën shqiptarët përtej Atlantikut, jo vetëm në një vit a dy, jo vetëm një brez i veçantë, por disa gjenerata, të cilët bënë  një histori të pa zakontë.

Njërën nga këto histori e sjell edhe Ekrem Bardha në librin e tij të fundit. E sjell me vërtetësi, qartësisht të besueshme, plot kolorit dhepërmes ngjarjeve, ajo që dikur ishte e largët, bëhet e afërt, e natyrshme dhe mbi të gjitha, historike.

*****

Kur ata që i kanë përjetuar vetë ngjarjet, pra, që kanë qenë pjesë e tyre, i kanë mbrujtur dhe i kanë dhënë jetë, heshtin, pikërisht atëherë lindin legjendat dhe moskuptimet. Ndryshe ndodh kur bëhen dëshmues të asaj që ka ndodhur, rrëfejnë një pjesë të jetës së tyre dhe risjellin vitet e kujtesës me pasionin e  të vërtetës.

Fundi i shekullit të shkuar në Shqipëri ishte ndoshta më përmbysësi në historinë e këtij vendi; mitet ranë rrëmujshëm shpejt dhe dritësimi erdhi nga një lëvizje që nuk mund të mendohej ndryshe. Vlerësimi për njerëzit dhe për ngjarjet nisi të ndryshojë mrekullisht, tabutë ranë, nisi një frymëmarrje ndryshe që, megjithëse e shpeshtuar dhe marramendëse, përsëri ishte dehmë lirie, duke u saktësuar e vërteta në ato përmasa që mund të ishte, edhe pse nganjëherë do të dukej e shpërfytyruar; fjalitë që kishin mbetur në mes, mendimet, ndjenjat, përfytyrimet, befasitë dhe enigmat iu nënshtruan rrjedhës së ngjarjeve.

Për shumë njerëz është e vështirë që në buzëmbrëmjen e jetës të kujtosh dhe të kuptosh mëngjesin e saj, sidomos në një paanësi të plotë, i pa trullosur nga ajo që ka shkuar, nga mëria apo dashuria për ngjarje e njerëz të veçantë, i pa zhgënjyer nga pabesitë dhe trullosjet, i lirë nga gjykimi dhe rëndesa e kujtesës. Në kalimin e viteve ka ndryshuar perceptimi – ndaj ngjarja e disa dekadave më parë mund të shihet në një dritë tjetër; ajo që të ka pëlqyer dikur – tani është venitur dhe nuk të josh më; një ndodhi që dikur të ka lënë indiferent- tani zgjon kureshtjen tënde; njerëz tek të cilët ke besuar – tashmë të kanë zhgënjyer; diçka që nuk e ke përfillur dikur- tani të duket ndjellëse.

Zoti Bardha ishte njëri ndër liderët politikë dhe shoqërorë të diasporës shqiptare, me njohje të gjëra në botën e politikës amerikane, ndoshta në të vetmit që gjatë karrierës së tij ka takuar shtatë presidentë amerikanë, ka pasur korrespondencë me to; është, ndër të tjera, shqiptari i parë që ka folur para Kongresit Amerikan, një ëndërr e vjetër e shqiptarëve në Amerikë; ka gjetur mirëkuptim, por edhe është përplasur me funksionarë të lartë që kishin në qendër të punës së tyre Shqipërinë, sidomos Kosovën, dhe që, kurdoherë ka gjetur busullën e drejtë dhe pikën më të duhur të aktivitetit të tij.

E kam shkruar diku një thënie të shkrimtarit të shquar francez, Stendal, se meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante edhe pasi historia e ka dhënë fjalën e saj.

Ky është mendimi i parë kur merr në duar një libër me kujtime të zotit Ekrem Bardha, “E vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”.

Pra, a është një histori që ia vlejtur të hidhet në letër, diçka interesante, apo autori është zënë në “lakun” e jetës së tij dhe ka përcjellë atë që mund të jetë thjeshtë e vetja, diçka brenda familjes së tij, apo, si ndodh jo shpesh, ka sjellë hapësira të tjera, qoftë edhe përmes vetjakes; ka ndërthurë mallin me brengën, pa e sunduar asnjëra tjetrën dhe pa rënë viktimë e mallit të prangosur dhe brengës përmbytëse?

Për të deshifruar enigmën e një libri, apo edhe më tej, për të hapur enigmën e një libri, sepse çdo libër përmban një enigmë, njerëzit, e mes tyre edhe unë, kalojnë ose përmes njohjes me autorin, pra një njohje e hershme, dhe për hir të saj lexojnë librin, ose, pasi kanë lexuar librin duan të njohin edhe autorin.

Me mua ka ndodhur ndryshe. E kam njohur autorin nga larg prej shumë viteve. Nuk e dija nga ishte, se cili kishte qenë viti i tij i lindjes, njerëzit që kishte në shtëpi, rrugën që kishte bërë, çfarë bënte në jetën e tij vetjake, bile, duke mos qenë në Shqipëri, nuk e dija aq mirë as se cilat ishin lidhjet e tij.

E njihja atë përmes Kosovës. Ishte si të thuash një njohje nga larg për dy njerëz të ndryshëm dhe, kur them të ndryshëm, nuk e kam mendimin, të kundërt.

Ai ishte i arratisur nga Shqipëria, jo se nuk e kishte dashur vendin e tij, por shtigjet ishin të mbyllura befasisht dhe egërsisht dhe kishte gjetur një rrugë tjetër; ai i takonte së djathtës shqiptare, ndoshta kishte qenë edhe ekstremist, për deri sa kishte shkruar se “Nëse dikur ekstremizmin e çmoja duke e quajtur vendosmëri, më vonë fillova ta shoh si të dëmshëm”.

Unë kisha prirjet e mija drejt një të majte të moderuar; familja e tij, megjithëse pa armë, kishte qenë e lidhur me Ballin Kombëtar, ndërsa familja ime kishte qenë me Nacional çlirimtarët; ai, si mësova ishte biznesmen, ndërsa unë një njeri i varfër i letrave. Kishim një të përbashkët, por këtë e mësova shumë më vonë. Vëllai i tij Samiu ishte pushkatuar nga regjimi në vitin 1953, tetë vite më vonë, im atë do të kishte të njëjtin fat tragjik.

Por ai ishte një mbështetës i jashtëzakonshëm, ndër më të jashtëzakonshmit, i pavarësisë së Kosovës. I kudondodhur dhe i gjithë gjindshëm – ai kishte me vete simbolikën e një njeriu që i ishte përkushtuar Kosovës dhe naiviteti im politik e ndoshta, edhe ajo që të mbetet në mendje nga e kaluara, më bënte që gjenezën e tij ta lidhje me një qytet a krahinë malore në veriun e Shqipërisë, ta zëmë me Kukësin. Mendoja i bindur se ai ishte verior, dhe, kur e mësova se ishte kolonjar, nuk e di pse, por u gëzova dy herë.

Nuk do të mund të bënte pa u takuar një ditë. Kosova bashkon shumë njerëz dhe është e natyrshme që udhët e tyre të kryqëzohen.

Kur Presidenti i Kosovës më ftoi për një vizitë të përbashkët në Shqipëri, ku, mes të tjerëve do të takohej edhe me shkrimtarin Dritëro Agolli, menduam që, në këtë rast të dekoronte edhe disa nga figurat e shquara të botës intelektuale, të cilët, në vitet më të vështira të Kosovës, por edhe të kombit, kishin qenë në vendin e duhur dhe që, si shkruan studiuesi Moikom Zeqo, kishin qenë pjesë në aksionin e jashtëzakonshëm konceptual dhe real për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ky është një fakt i pamohueshëm dhe i rrallë që lidhet me luftën epokale të UÇK-së si dhe të forcave të NATO, në vitet 1998 – 1999, një ngjarje e pashembullt kjo, që ndodh një herë në dymijë vjet, që çoi në ekzistencën e dy shteteve shqiptare të  njëjtit komb.

Ky ndryshim epokal nuk mund të arrihej nëse qendra e vendosjes së botës, SHBA, nuk do të shihte drejt Kosovës dhe luftës së saj, dhe, kjo e fundit, nuk do të mund të sillej drejt ëndrrës shqiptare, nëse nuk do të kishte idealistë dhe vizionarë , shqiptarë të Amerikës, të cilët do e merrnin përsipër një rol të jashtëzakonshëm, si përfaqësues politikë të Kosovës në Amerikë, të ishin zëri i tyre, mendimi i tyre, një urë për bashkimi mes institucioneve të skalitura të shtetit amerikan, demokracisë dhe mendimit politik të atjeshëm, me atë që synonin në Kosovë lëvizjet politike, sidomos Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Njëri prej tyre, në më të çmuarit, ishte pikërisht zoti Bardha dhe, megjithëse nuk e njihja, nuk e kisha takuar asnjëherë, unë i propozova Presidentit Thaçi që, njëri ndër të dekoruarit, duhej të ishte edhe ai, çka u mirëprit dhe u shoqërua edhe më pas me vlerësimin maksimal , dekorime të tjera, për atë dhe familjen e tij.

U takuam shumë muaj pas kësaj ngjarje. U takuam në shtëpinë e lindjes sime në Shkodër, që njihet si Shtëpia e Madhe e Gjylbegajve, e ngritur nga Muharrem beg Gjylbegu, që kishte qenë edhe kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës në shtetin shqiptar.

Disa vite më parë, në Londër, në zyrën e ambasadorit të jashtëzakonshëm, Agim Fagu, në mendimin tim më i shkëlqyeri në mbështetjen e Luftës në Kosovë, zonja Bianka Jagger, e Departamentit Amerikan të Shtetit, një grua jashtëzakonisht e bukur, inteligjente dhe e pasionuar pas çështjes shqiptare, mes të tjerëve me përmendi edhe zotin Bardha: “Është njëra nga portat e sigurta, përmes së cilës mund të hyni në Departamentin e Shtetit, por edhe në Senatin e Kongresin Amerikan“.

Tani, kaq vite pas luftës së Kosovës , të ardhur të dy nga anët e largëta të botës, u takuam, për të folur për shumëçka, por mbi të gjitha për Kosovën. Ai ishte nisur drejt saj nga një mësim i Abaz Ërmenjit, që në librat e dikurshëm ishte kryeballist, unë nga një lëvizje e majtë, por me thekës të fuqishme irredentist e nacionalist.

Kosova e kishte pasur këtë fuqi , bashkimin e njerëzve.

Tani do i vinte radha librave. Fillimisht kisha lexuar librin e tij të parë. “Larg dhe afër Shqipërisë”. Kisha lexuar kujtime gjithë mllef, ndoshta nga që vuajtja kishte qenë më e rëndë nga sa ishte përfytyruar; isha njohur me poezi dhe libra që ri sillnin një epokë nga një kah tjetër, megjithëse ishin të paktë, tani kisha me vete një libër, i cili, në titull hidhte idenë e mos shkëputjes edhe kur je larg, por që ende nuk e dija se çfarë do të kishte në brendësinë e tij.

Tani ai sjell librin e tij të ri. Një libër i madh nga idetë që përmban, nga vërtetësia deri në detaje, nga ngjarjet që përbëjnë ndoshta disa dekada jetë të një njeriu, libër i madh nga volumi, idetë, por, edhe nga përfshirja në të  shumë figurave që bartin disa herë boshtin e kombit në fundin e shekullit të shkuar.

Çfarë kanë bërë shqiptarët e Amerikës për Kosovën? Çfarë kanë bërë ata figura të shquara, shumë nga të cilët kishin ikur nga Shqipëria londineze, duke lënë të afërmit e tyre, të cilët kishin hequr një pjesë të jetës në kampet e internimit, në burgje apo ishin eliminuar? Kishin pasur ata zemërim, mllef, urrejtje, kishin thënë ata: në dreq të vejë edhe Kosova, ne kemi hallin e Shqipërisë, si kishte ndodhur me mërgatën e arratisur në Evropën perëndimore?

Si kishte ndodhur që atje larg ata kishin krijuar lobin e tyre, ishin forcë, njerëz të respektuar, në të gjitha fushat, ndërsa ndryshe kishte ndodhur me të tjerët, që , pas pak viteve rezistencë, në shumë raste kishin humbur përmes halleve të jetës dhe urrejtja ishte bërë pjesë e jetës?

Shumë enigma mund të ketë secili prej nesh. Është e natyrshme. Ajo që fshihet në vitet e shkuara, edhe kur zbulohet, krijon enigmat e saj. Zoti Bardha, në këtë libër , shkruar me pasionin e njeriut që e di se kjo mund të jetë “kënga e fundit”, pa u ngutur, ka ngritur “ perden” e asaj që ka ndodhur , duke krijuar tablonë e një jete në përpjekje, pa  harruar kurrë se atdheu është kudo ku janë shqiptarët.

*****

Si kishte rrjedhur jeta e një njeriu nga dita e kalimit të kufirit, nëpër natë, e gjithë familje njëherësh, deri tek takimet me presidentë, kongresmenë dhe senatorë, të cilët ishin aty, në foto të përbashkëta? Cila është jeta e një njeriu që ka takuar tetë presidentë amerikanë, që nga Niksoni deri në Biden?

Çfarë aspiratash kishte pasur ky njeri që ishte mik njëherësh edhe me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, por edhe me Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin, Sali Berishën, Gramoz Pashkon… që në një pritje të ambasadës amerikane, ndryshe nga të tjerët, i jepte dorën presidentit të kohës Ramiz Alia, që takohej me drejtuesit më të lartë ushtarakë të NATO-s, por edhe me figura të shquara të shqiptarëve të Amerikës, që në ardhjen e parë në Shqipëri, pas kaq shumë viteve, pasi i ishte sjellë asaj nga të gjitha anët, do të deklaronte njerëzisht se “unë i takoj së djathtës, por partia ime është Shqipëria”?

Si ishte lidhur ky njeri kaq fort me Kosovën, në luftë dhe në pas luftë, sa që do të njihej si mik i afërt i ish presidentit të ndjerë Rugova, më tej, i luftëtarëve Thaçi, Haradinaj, si kishte ndodhur përplasja në Departamentin Amerikan të Shtetit, kur një funksionar i lartë i Departamentit të Shtetit, në takimin me një grup shqiptarësh të njohur kishte thënë fjalinë e parë se “UÇK-ja është terroriste” dhe përplasja me të, deri në të pamundurën?

Për gjithë secilin mbetet vetëm të hapë librin. Aty janë të gjitha.

Nuk është një libër që lexohet me një frymë. Ai duhet lexuar duke e sjellë nëpër mend një epokë dhe disa ngjarje, emra e kalime që në kohëra të ndryshme kanë pasur përfytyrime të ndryshme.

I shkruar thjeshtësisht, pa fjalë të mëdha dhe pohe marramendëse, lehtësisht i qartë dhe mjeshtërisht tërheqës, ai sjell një hapësirë të re; përfytyrimin për Shqipërinë e një njeriu që për 45 vite ishte armik dhe që më pas doli se kishte qenë „armiku i mirë“. Dhe çfarë kishte bërë ai, e shumë miq të tij, figura të njohura, për Kosovën. Pavarësinë e saj.

Cila ishte e vërteta? A kanë qenë gjërat aq të lehta dhe , nëse do të kishin munguar përvoja, lidhjet, përkushtimi i tyre, çfarë do të kishte ndodhur? Kjo e vërtetë, deri tani pak e njohur, nuk është blerë me para, as me përulje, por është arritur me dinjitet të pa skaj, nga njerëz që kishin krijuar emrin e tyre si figura publike dhe politike, që kishin njohje dhe bënin një pjesë të asaj që duhet njohur si pjesa e diasporës shqiptare në SHBA.

Ndodh kjo? Është e mundur?

Në fakt, është e vështirë të perceptohet, por, maksima e njohur se “Më shumë vlen një dëshmitar okular, sesa dhjetë vetë që kanë dëgjuar diçka”, këtu është në vendin e saj.

Në leximin e memuareve të pas komunizmit kam pasur shpesh herë zhgënjime, ashtu si dhe jam tronditur e shpesh herë kam menduar se, gjuha i është dhënë gjithkujt, por mençuria pakkujt.

Si do të ndodhte kësaj here. Nuk doja të zhgënjehesha nga leximi i librit të një njeriu që e kisha lidhur më shumë me Kosovën, se sa me Shqipërinë.

Si shkrova, nuk është një libër që lexohet me një frymë, jo se nuk ka dinamikë dhe nuk bart atë frutën e të së panjohurës që e bën një libër interesant, por se duhet menduar gjatë leximit.

Ka disa veçori ky libër, të cilat do të mundohem t’i sjell ashtu si i përjetova:

Libri është plot të papritura. Nganjëherë tronditëse. Plor ide, përshkruar nga i njëjti motiv: atdheu në të gjithë përmasat e tij. Nuk ndjehet mllefi, hakmarrja, mëria për atë që ka përjetuar. Një libër pa mllef, gjë e pazakontë, për ata që kanë pasur më shumë dhimbje! Me plot besim se e ardhmja e kombit fillimisht duhet të ketë lirinë e Kosovës. Pa këtë nuk mund të ketë Shqipëri etnike dhe as besim se një ditë do të ndodhë bashkimi i shqiptarëve.

Libri është shkruar gjakftohtësisht, sikur autori ka nisur të dëshmojë jetën e një njeriu tjetër, që është vetvetja, por që mund të jetë edhe dikush tjetër. Mllefi që dëmton një libër nuk është. Nuk e gjen dot. As në rastet më të hidhura, kur jeta është çështje ditësh, as kur tradhtia e mikut është kobzezë, as kur vendi yt nuk të lë t’i afrohesh.

Ai, autori, mund ta ndjejë veten fitimtar , brenda vetes së tij, por ky triumf nuk është. Nuk çirret, nuk mallkon, por dëshmon dhe në këtë rast, pikërisht kjo, dëshmia , është më e besuar.

Ai e di fare mirë se hakmarrja vulgare është e çastshme, hakmarrja inteligjente është e përjetshme. Ai ndërmerr këtë të fundit. Nuk sjell mallkimin, sepse do të ishte një lëçitës i zakonshëm, por shembullin, dëshminë, si të thuash, tregon pasaportën e të Vërtetës, duke qenë pjesë e saj, por pa rritur rolin e tij dhe mohuar të tjerët. Thjeshtë dëshmues. Do të thotë, i besueshëm.

Libri është shkruar me Vërtetësi absolute, pa zbukuruar dhe pa u mbërthyer nga nostalgjia, e cila mund të ishte e zakonshme. Një libër që ngërthen të vërtetën është gjithnjë i dashur, por, në këtë rast, kjo e vërtetë është edhe për ne, të tjerët, që, ose kemi qenë larg dhe kjo periudhë na ka zënë diku tjetër, ndoshta përballë me jetën e autorit, ose për ata që asaj kohe ishin soditës, për të mos shkuar më tej, ishin tronditëse në një realitet që pak kush e mendonte se mund të ndryshonte.

Vërtetësia është e habitshme, ndoshta deri në skajin e saj të mundshëm.

Është një libër i shkruar me shumë Dhembshuri. Ndoshta malli për vendin e tij, i tej zgjatur në vite dhe i paarritur , njerëzit e lënë diku tjetër, vendlindja e munguar, enigma e jetës së vëllait të burgosur, pengu i asaj që është braktisur, pamundësia për të qenë aty, si pjesë normale, e kanë shtuar dhimbjen, duke e bërë njerëzore. Kjo dhimbje është për gjithçka që ka shkuar dhe kujtimet e tij, prej kësaj ndjenje, janë bërë më të afërta e më njerëzore.

Përmes narracionit konciz, janë hequr fjalët e tepërta, të gjithë mund të binden se kjo është një jetë e pa zbukuruar dhe nga ana tjetër fillon e krijon bindjen se tek ata që u arratisën , atdheu jetonte, shumë prej tyre ishin njerëz të ndjeshëm, të qetë, të pajisur me një botë të pasur dhe jo kamikazë.

Kjo dhembshuri që ndjehet në shumë faqe të librit ka bërë që edhe ndaj atyre që nuk do e kishin merituar të ishin në libër, duke i dëshmuar të keqen, mashtrimin, krimin, të mos e çojë më tej tek të tjerët, në brezat, të mos mallkojë dhe të lëshojë gjëmën.

Në fakt është një libër i shkruar me Pasion. I menduar gjatë. Një libër i tillë nuk mund të shkruhej ndryshe. Në të vërtetë, vetëm njerëzit pasionantë mund të bëhen dëshmues të qetë të një jete, e cila nuk është vetëm e tyrja, por, në një mënyrë ose në një tjetër, sintezë e shumë jetëve, që ndryshuan rrjedhën e tyre, jo nga mos dashuria, përkundrazi; jo nga tundimi për të qenë kundërshtarë të domosdoshëm, por nga që rruga e zgjedhur ishte e vetmja e kohës.

Pasioni nuk e ka zbehur saktësinë, por e ka pajisur atë me flakën e domosdoshme që ka qenë në kohën e ngjarjeve një domosdoshmëri absolute.

Libri është shkruar duke përdorur brumin e saktë të Mendimit. Ky mendim ka qenë i domosdoshëm, pasi vetë lëvizja politike jashtë shtetit shqiptar ka pasur edhe korifenjtë e saj, ashtu si ka pasur edhe të çarturit e saj. Një lëvizje që, aq sa është irredentiste, aq është edhe nacionaliste, duke kaluar nëpër sprova të vështira dhe duke pasur nëpër këmbë një histori që nuk ishte e shkëlqyer nga disa eksponentë të saj, duhej të kishte mendim.

Libri është shkruar me shumë, shumë, ama, shumë Dashuri, e jo vetëm për Shqipërinë, duke e cekur atë në të gjitha hapësirën e saj, por edhe për Kosovën, për shumë nga personazhet që janë pjesë në këtë libër, për ata që ende janë pjesë e historisë dhe të tjerë që kanë dalur jashtë saj, për prindërit e të afërmit, ku spikat figura mitike e Nënës , Bule, bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, deri tek selitë e larta të Kongresit dhe Senatit Amerikan.

Është një konfiguracion i gjerë njerëzor, i përmasave sa të afron një jetë e tërë, por edhe i shikimit tej ngastrës së një familje, në të cilën ai është i pranishëm, por që nuk është e mjaftueshme për synimet e tij.

Libri është mesazh Atdhedashurie.

Kjo e vërtetë e përshkon gjithë librin. Kryefjala e librit është atdheu, shikimi ndaj tij është i vazhdueshëm, pritës, lakmitar dhe gjithë mall; ankthi i largimit nuk është asgjë para ankthit të braktisjes, qëndrimi ndaj vendlindjes është gur prove, koha e ribashkimit është e shumëpritur, dhe, vjen një çast, do të thosha determinues, kur “armiku” bën atë që nuk mund ta bënte diplomacia e shtetit shqiptar: takohet me presidentin Richard Nixon.

Shkaku është i pazakontë. Në shtetin grek qeverisin ushtarakët, të cilët, sapo kanë shfaqur pretendimet e tyre për aneksimin e jugut të shtetit shqiptar. Përmes miqve të përbashkët ai arrin të takohet dhe t’i kërkojë që shteti amerikan të mos lejojë që atdheu i tij të copëtohet edhe më tej.

E pabesueshme, por e vërtetë. Presidentit amerikan i bën përshtypje të thellë këmbëngulja e një të arratisuri nga shteti i tij dhe i premton se nuk do të lejojë që Shqipëria të shkërmoqet nga qeveria e kolonelëve dhe, për më tepër, pa e hequr nga mendja, e fton në ceremoninë e betimit të tij si President. Për të vërtetuar fjalën e tij, presidenti amerikan shkruan me dorën e tij, betimin që porsa ka bërë.

Së fundi, por jo më e parëndësishmja, libri është shkruar me Modesti. Është mbivlera e një libri të vyer dhe të vlefshëm. Është e vështirë të jesh modest pas triumfit. Diçka që ngjan e pamundur, sidomos në çastet e para.

Në fund të fundit ai ka pasur gjithnjë këtë synim të dyfishtë: kthimin e shtetit shqiptar në një shtet normal, demokratik dhe, më tej se kaq, lirinë e Kosovës. Ia ka arritur të dyjave, për më tepër, duke qenë pjesë dhe jo soditës. Duke u bërë zë i rëndësishëm dhe jo i humbur në hapësirën e pafund amerikane. Duke sakrifikuar nga vetja, por duke i dhënë të tjerëve.

Duke hapur pritat për të gjithë shqiptarët, por duke pritur në shtëpi edhe presidentë amerikanë. Duke qenë mik me shqiptarët e zakonshëm, por edhe me figurat më të larta presidenciale.

Njëri prej tyre, George W.Bush, në 15 janar 2001 , do i shkruante:

I dashur Ekrem,

Dick Cheney dhe unë duam t’ju falënderojmë për gjithçka që ju keni bërë për ne. Udhëheqja juaj, energjia dhe koha, që ju na dedikuat bujarisht, ishin vendimtare për suksesin tonë.

Unë ju jam mirënjohës për punën tuaj këmbëngulëse dhe i nderuar që ju bënit pjesë në grupin tim“.

Në fund të fundit do të jetë shqiptari i parë që hap dyert e Senatit dhe të Kongresit Amerikan, gjë që e kishin pasur ëndërr figurat e mëdha të kombit.

Libri, në të vërtetë, është jeta e tij. Cila ishte ajo? Për shumë vite me radhë ishim mësuar se “ne”, që jetonim në këtë vend, që nuk e kishim lënë atë, megjithëse të strukur si në palcën e vetëdijes sonë, ishim kombi, ishim atdheu, ishim identiteti, tek “ne”  ishte gjithçka e mirë që mund të kishim bartur nga njëri brez në tjetrin.

“Të tjerët”, të vetë larguarit, të mënjanuarit, humbësit ishin njerëz pa identitetin e tyre, ata identifikoheshin me atë që nuk duhej të ndodhte, ishin të pandryshueshëm në urrejtjen e tyre. Ata, ndryshe nga “ne”, domosdo do të ishin antikombëtarë, përhapës të së keqes, tempulli i të cilëve ishte mëkati ndaj vendit ku kishin lindur.

Dyshimi i parë kishte lindur së bashku me përhapjen e lirisë së fjalës. Nuk kishin qenë të gjithë djaj, ashtu si nuk kishin qenë të gjithë engjëllorë.

Hapja ishte mundësia e vetme e njohjes dhe vetë njohja kishte sjellë mundësinë e mendimit ndryshe. Nuk kishte qenë e thënë që për të vetë larguarit, të arratisurit të mishërohej ajo që ishte thënë në njërin nga librat e shenjtë, Biblën, se “Dhe ti do të jesh një endacak dhe ikanak mbi tokë” (Zanafilla 4-12).

Ata, që ishin menduar se nuk do e kishin kurrë shtetin e tyre, nuk do të kishin as arkivat dhe kujtesën e tyre, në fakt e kishin bartur kombin, vendin, ashtu si edhe fatin e tyre. Kur do të vinte koha e duhur ata do e shpallnin të vërtetën që fillimisht do e kishim vështirë ta njihnim se, edhe këmbë përgjakur, nga një dënim i rëndë dhe i pashpjegueshëm, nuk kishim humbur atë që do të ishte primare dhe e domosdoshme, identitetin.

Njëri prej tyre, ndoshta më domethënësi, kryelartë dhe i përkulur njëkohësisht, do të ishte Ekrem Bardha, tek i cili shpirti i njeriut kishte qenë më shumë se gjithçka dhe se braktisja e atdheut nuk kishte qenë asgjë tjetër veçse afrim drejt tij.

Ekrem Bardha është njëri ndër simbolet e shkrirjes së jetës për një pjesë Shqipërie, të cilën, sa ishte në vendlindje, nuk e kishte njohur, kishte ditur shumë pak për të, krejt pak, vetëm atë që mund të ishte thënë në fisin e tij, por që si një normalitet njerëzor do të bëhej një gjymëtarë e tij, një vazhdim i jetës së natyrshme dhe si një domosdoshmëri e përcaktuar. Kosova do të jetë malli, megjithëse nuk e kishte parë; do të ishte përkushtimi, në vorbullën e jetës do të kishte dallgëzuar më shumë se sa kaq; do të ishte qëllimi dhe kësaj ia arriti.

Kallëzomë udhënë e dërejtë, pash bukënë – do të shkruante Frang Bardhi në vitin e largët 1636.

Cila do të ishte udha e drejtë e Ekrem Bardhës? Do e kishte menduar gjatë asaj nate, kur ende 20 vjeçar, do të arratisej nga Shqipëria. Shteti i parë i huaj ku do të vinte këmbën ishte Greqia.  Një familje e tërë, që kishte lënë pas një varr vëllai, do e kishte stacionin e parë dhe më të vështirin. Viti 1953 ishte i skajshëm mes dy shteteve. Nëse nuk do të mund t’ia prisnin kokën njëri tjetrit, do ia nxirrnin sytë me shumë dëshirë.

Në Greqi do të jetë ndaj një udhëkryqi të parë, që kurrë nuk u bë pikëpyetje: shteti grek, shërbimi i tij, i kërkon të bëhet bashkëpunëtor i tij. Nuk ka asnjë lëkundje se kjo nuk është udha e drejtë, por, edhe nëse do të kishte një fillesë luhatje, atë ia shuan menjëherë nëna e tij, nëna Bule: Ikëm për t’i shërbyer vendit tonë, për njerëzit tanë e jo për të huajt që vrarë na kanë dhe shuar kanë dashur të na kenë. Pastaj do i thotë vetes së vëllai i tij i madh, Sami Bardha, i ekzekutuar në burgjet e pas luftës, nuk kishte qenë për një shtet të copëtuar, barbarisht të ndarë,  ai nuk e kishte dashur komunizmin, por Shqipërinë e kishte dashur.

Rrugëtimi do të jetë i gjatë, por udhën e drejtë e kishin gjetur. “Regjimi është diçka tjetër, atdheu është tjetër. Regjimi edhe ndryshon, atdheu mbetet i njëjtë”.

*****

E ka menduar gjithnjë Ekrem Bardhën si një banor i veriut të Shqipërisë, diku në zonat kufitare, kur ende nuk dija rrugëtimin e tij të gjatë, gati pesë dekadash drejt Kosovës.  Vonë, shumë vonë, kam mësuar se ishte kolonjar. Kishte thyer një tabu të pavendosur, por të menduar. Kishte sjellë pranë vetes vise e troje të panjohura, për t’i njësuar me ato të vendlindjes së tij. Ishte një fillesë e pazakontë, në dukje e papërballueshme, tepër e rëndë për t’u bartur nga njerëz që ishin kaq larg vendit të tyre, ku edhe e kishin të ndaluar të hynin, por që kishte nisur bulimin në një kohë kur pak vetë, vetëm një grusht idealistësh e mendonin këtë. Vizioni është më i fuqishmi ndër të gjithë mendimet njerëzore.

Drejt vizionit do e shpinte një njeri i njohur; më shumë mendimtar se sa luftëtar; ballist dhe me njërën këmbë në idetë sociale, sa që shërbimi i fshehtë amerikan do e klasifikonte si përfaqësues i krahut ballist socialist, Abaz Ermenji.

Këto dy njerëz do të takoheshin një ditë. Edhe nëse nuk do të kishin qenë pjesë të Ballit, do të takoheshin.

Ekrem Bardha i tregon se si e kanë lënë vendin e tyre, atë jetë të braktisur dhe është i gatshëm të marrë përsipër shumë më tepër se sa mund të pritej. Ermenji i tregon një rrugë tjetër, po ashtu të drejtë. I thotë se Shqipëria, në mos sot, një ditë tjetër, do të ndryshojë. Ajo nuk do të zhduket, nuk do të shpërbëhet. Do të vuajë, por do të mbijetojë. Kosova, pjesa tjetër e atdheut, është në fillin e perit.

Nëse ky fill këputet, atëherë nuk do të ketë më Kosovë. Do të jetë një pjesë e harruar, ashtu si viset e tjera shqiptare. Komunizmi është armiku ynë, do i thotë Ermenji, por Serbia është dy herë e armiqësuar me shqiptarët. Nëse nuk do të ketë Kosovë, atëherë nuk do të ketë as Shqipëri.

Është një bisedë që do i mbijetojë viteve, sepse bëhet ide, qëllim, vizion, përkushtim, mendim i përditshëm dhe lëvizje.

Fjalët e Ermenjit janë testamentale. Tregomë, zot, rrugën e drejtë! Në Amerikë Zoti ka dërguar apostujt e shqiptarisë. Njëri prej tyre ka lënë pas veprën e shkruar dhe erudicionin e lakmueshëm, si shqiptari më i ditur dhe më famë madh në atë shtet të largët; tjetri jeton ende dhe është simboli i një shqiptarie të habitshme.

I pari, Konica, është njeriu që ka zbuluar dhe bërë publik flamurin e Skënderbeut. E ka gjetur i vetëm, duke gërmuar në arkivat e gjithë botës. Tjetri, Noli, krejt i vetëm, ka bërë po ashtu një akt të pashembullt: ka krijuar Kishin Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Një vepër titani, frut i vullnetit të fortë dhe i mendjes së zgjuar.

Konicën ai, Ekrem Bardha, e ka njohur përmes librave dhe kujtimeve, me Nolin lidh miqësinë që do të vazhdojë deri në aktin e fundit. Noli, i cilësuar si i majtë dhe, Bardha, i trajtuar si i djathtë, kanë mes tyre një urë lidhëse: të drejtën sociale në perceptimin e së përditshmes dhe nacionalen në kujtesën e vazhdueshme.

Për të ngritur rrugën e Kosovës do të kishte vetëm një rrugë: Shtëpia e Bardhë, senati dhe Kongresi. Është e pamundur të perceptohet një rrugë tjetër. Ndoshta, pa e ditur atë thënien e vjetër dukagjinase se, “ kur ke zotin dajë, nuk ke nevojë për engjëjt”, ai i drejtohet pikërisht atyre.

Tanimë nuk është i panjohur. Është një njeri i pasur, i virtytshëm, idealist; çdo gjë e ka ndërtuar me mendjen e guximin e tij, edhe në ato fusha ku të tjerët nuk guxonin dhe që i quanin të papërshtatshme për shqiptarët: sallonet e modës dhe gastronominë.

Duhen njohur dhe afruar kongresmenë, senatorë, ligjbërës, figura të shquara të mendimit politik amerikan. Përmes tyre mund të ketë një mendim për Kosovën dhe në këtë rrugëtim ka fatin të mos jetë i vetëm. Një pjesë e emigracionit shqiptar në Amerikë, ku bën pjesë edhe Ekrem Bardha, e kuptojnë fare mirë se mllefi ndaj komunizmit nuk duhet të errësojë kombin.

Është një lobim i vështirë. Ndoshta më i vështiri që ka pasur në fillimet e tij hezitime të shumta, pengesa, moskuptime dhe , ndoshta, pengje të harresës.

Përmenda “harresën” se ishte një rrugë që zgjati 40 vite, gjatë të cilëve, zyra e një njeriu të zakonshëm, arratisur një mbrëmje qershori të vitit 1953 nga vendi i tij, bëhet institucioni i vetëm shqiptar, ku janë bërë takime të nivelit të lartë me figura të shquara të politikës amerikane, shkëmbehen korrespondenca, projektohen lëvizje të reja, mendohet për krijimin e një lobi amerikan pro çështjes shqiptare; afrimet bëhet ngadalë, fillimisht është mosbesimi ndaj çështjes që zbehet gradualisht me besimin ndaj njeriut që e përcjell këtë mesazh; kur zyra e tij nuk është e mjaftueshme,  e gjithë shtëpia e tij kthehet në një qendër bashkëbisedimesh; kur personeli është larguar, atëherë përveshin mëngët pjesëtarët e tjerë të familjes; dyshimet e moskuptimeve të para fillojnë dhe i lënë vendin shpresës, nis e zgjohet besimi se rruga është e drejtë dhe se mundësitë po hapen.

Takimet e para janë të mbushura me heshtje dhe një ndjenjë pritje, pasi gjithçka zhvillohet larg shtetit të madh amerikan, ku e dhëna e rreme ka zënë vend për fatin e Kosovës dhe kjo duhet shkundur. Shumë kush do të ishte tërhequr, do kishte heshtur. Nganjëherë lodhja do të jetë aq e madhe, sa që do të mendohej se, edhe kaq, sa është bërë, është e mjaftueshme për të mbushur një jetë njeriu. Por tanimë, ai ka marrë përsipër jo vetëm rolin e tij, por edhe të tjerët; gjithçka është shtrirë në sinorë të tjerë dhe Kosova fillon e bëhet një emër i dëgjuar në hallet e administratës së lartë të Amerikës.

Presidentët Amerikanë

Në rrugën e drejtë që zgjodhi Ekrem Bardha do të takohej me shtatë presidentë të Shteteve të Bashkuara. Me gjashtë prej tyre do të bisedojë vetëm për Kosovën; në njërin takim, në takimin e parë me një president të shquar, Riçard Nikson, do të bisedojë për Shqipërinë.

Zbuluesi shqiptar Hasan Luçi do të jetë i pari që do të informojë për këtë takim shërbimin e tij të zbulimit të jashtëm. Ai do i shkruajë shefave në Tiranë se, “Ekrem Bardha, shqiptar i njohur, është takuar me presidentin Nikson. Tema e takimit të tyre nuk dihet, por, nga informacionet e ardhura, ka të dhëna se Ekrem Bardha i ka kërkuar Presidentit amerikan mbrojtjen e territorit shqiptar nga një agresion i mundshëm i Greqisë”.

Në Greqi është në fuqi junta ushtarake. Ajo sapo ka bërë një deklaratë për luftë ndaj shtetit shqiptar. Është një gjendje që trazon shqiptarët që e kishin dashur vendin e tyre, jo si sundues, por si shërbëtorë të tij. Është viri 1968. Ai e informon presidentin Nikson se junta e kolonelëve grekë kanë shfaqur haptas pretendimet e saj për aneksimin e jugut të Sqipërisë.

Një shqiptar i larguar nga vendi i tij futet në Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur vendin që e ka braktisur. Presidenti amerikan në praninë e kongresmenit William Broomfeld, i thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë. Më pas, duke i dërguar një letër personale, i premton se, “unë nuk do të lejoj që pretendimet greke për territore shqiptare të realizohen”.

Udhënë e dërejtë Bardha e vazhdon më tej. Nëse e kishte filluar me besimin se do të bëhej një ditë një ëndërr e tashme, duhej vazhduar. Shumë gjëra do i mësonin më vonë. Koha e harresës do të grisej një ditë dhe habitshëm do të mësohej se çështja e Kosovës do të shtrohej para kongresmenëve amerikanë që me 20 maj 1975, se me 23 maj 1980 do i dërgohej një informacion i detajuar Departamentit të Shtetit për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, se gjërat pastaj do të lëviznin më shpejt dhe pak ditë më vonë, me 28 maj 1980 Ekrem Bardha, i sugjeruar nga Departamenti i Shtetit, ftohet në Konferencën e Madridit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për të diskutuar mbi të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi.

Kornizat e vjetra bien, traseja e re fillon e shtrohet. Ende pak vetë e besojnë se mund të ketë ndonjë dobi nga gjithë kjo lëvizje e një lobi shqiptar, të cilët, për më tepër, megjithëse të pasuruar me punë të ndershme, nuk ngurrojnë të shpenzojnë pasurinë e tyre.

Ngjarjet historike të sjellë në libër përmes dokumenteve autentike, kujtimeve, letër këmbimeve, letrave të figurave të shquara , takimet në institucionet më të rëndësishme, përplasjet, të gjitha këto përbëjnë korpusin e madh të librit. Rrezatimi i punës së tij përhapet në të gjithë familjen. Në kohën e luftës së Kosovës janë përfshirë të gjithë, që nga momentet madhore, takimet me presidentin Klinton, deri në kampet e ngritura për të dëbuarit shqiptarë nga dhuna serbe. Një letër e Donika Bardhës bëhet shkak madhor për reagimin e presidentit Klinton dhe nis një rrugë e re, përmes një betimi që i bën presidenti i luftës: Serbët do e paguajnë këtë që po bëjnë në Kosovë.

Është një libër i veçantë. Ndoshta më i veçanti që ka sjellë kujtesa e diasporës. Më domethënësi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një urë e rrënuar pranë qytetit të Luedenscheid në Gjermani…