Britania: Rusia po tenton t’i rekrutojë emigrantët për luftën në Ukrainë

08 maj 2023 | 16:38

Në raportin e fundit të inteligjencës britanike është thënë se Rusia është duke rekrutuar punëtorë emigrantë nga Azia Qendrore për t’i ndihmuar forcave ruse në luftën kundër Ukrainës.

Në përditësimin e fundit të inteligjencës mbi luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, ka raportuar se rekrutuesit ushtarakë rusë “kanë vizituar xhamitë dhe zyrat e imigrancionit”, për të shënjestruar punëtorët emigrantë që kanë ardhur nga Azia Qendrore në Rusi.

“Në zyrat e imigracionit, në mënyrë rutinore, personeli përpiqet të rekrutojë emigrantë”, ka bërë me dije Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas kësaj ministria, Rusia është duke u ofruar emigrantëve “një rrugë të shpejtë drejt nënshtetësisë ruse, prej gjashtë muajsh deri në një vit, në vend të procedurës së zakonshme prej pesë vjetësh”.

“Radio Evropa e Lirë” më parë kishte raportuar se rekrutuesit i joshin punëtorët emigrantë duke u ofruar bonuse financiare me vlerë prej 2 390 dollarësh dhe paga deri në 4 160 dollarë në muaj.

Rekrutët ka të ngjarë të dërgohen për të luftuar në vijën e frontit, thanë ekspertët britanikë të inteligjencës, si pjesë e përpjekjes së Rusisë për ta përmbushur synimin për t’i bërë 400 mijë vullnetarë që luftojnë në Ukrainë.

Londra ka sugjeruar se qeveria ruse “po tenton ta vonojë një mobilizim të ri të detyrueshëm për aq kohë sa të jetë e mundur” duke pasur parasysh se vala e fundit e rekrutimit nuk gjeti shumë përkrahje.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Në prill, Putini ka  nënshkruar një ligj për krijimin e një sistemi të rekrutimit, që parasheh edhe ndalesë për burrat që të largohen nga shteti, në rast se injorojnë ftesën.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ngritja e aktakuzave në mungesë për krime lufte në Kosovë…