Rizvanolli: Nuk kam informata zyrtare për gjobitjen e KEK-ut dhe KOSTT-it

08 maj 2023 | 16:58

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është deklaruar të hënën pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për dënimin e dy kompanive publike, KEK-ut me 3.2 milionë euro dhe KOSTT-in me 439 mijë euro.

Rizvanolli ka theksuar se nuk ka pranuar informacione zyrtare për gjobat që ZRrE-ja i ka vendosur KEK-ut dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Në seancën e së premtes, ZRrE-ja ka gjobitur KEK-un në vlerë prej 3.2 milionë euro dhe me 439 mijë euro KOSTT-in. Por, rregullatori për energji ende nuk ka treguar arsyen e këtyre gjobave.

Edhe kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje lidhur me gjobat ndaj këtyre dy kompanive publike. Ai ka thënë se gjatë ditës do ta publikojnë raportin për vendimet e marra ndaj KEK-ut dhe KOSTT.

Rizvanolli e pyetur për këto gjoba, ka thëne se për këto dënime ka dëgjuar vetëm në media.

“Unë nuk kam informata zyrtare për këtë, e kam parë vetëm nga mediat, andaj nuk mund të flas për këtë”, është shprehur Rizvanolli, shkruan “Kosovapress”.

Ndërsa lidhur me rikthimin e njësisë A5 në operim, Rizvanolli ka thënë se janë shtuar edhe 130 megavat të reja që do të ndihmojnë tejkalimin furnizimit të rregullt me energji gjatë muajve të ardhshëm.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme që në këtë periudhë të jenë në funksione tri blloqet e Kosovës A për shkak të investimet që po ndodhin në blloqet e Termocentralit Kosova B.

Ministrja Rizvanolli, ka thënë se me investimet që po bëhen në sektorin energjetik janë për 20 vitet e ardhshme.

Ajo ka deklaruar se edhe gjatë kësaj jave kanë siguruar një pjesë të energjisë nga Shqipëria.

Të dielën është rikthyer në operim njësia A5 e termocentralit “Kosova A” pas dhjetë muajsh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediumi i madh amerikan, “MSNBC”, ka shkruar në lidhje me…