Tenderi për insulina, Vitia akuzon OShP-në dhe prokurorinë për presion

10 maj 2023 | 12:04

Ministri i Shëndetësisë (MSh), Arben Vitia, ka thënë se është i shqetësuar me situatën rreth tenderit për insulina sidomos pas insistimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) që të procedohet me këtë tender, pavarësisht se kompania fituese nuk i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit.

Vitia ka akuzuar OShP-në dhe prokurorinë për presion për ta nënshkruar kontratën.

Ai ka njoftuar se urdhëresës së OShP-së për këtë vendim, MSh-ja i është kundërpërgjigjur nëpërmjet padive.

Këto komente, Vitia i ka bërë në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë ku është vendosur që t’i rekomandohet Kuvendit shkarkimi i anëtares së OShP-së, Kimete Gashi.

“Shprehim shqetësimin tonë për një situatë e cila rrezikon në mënyrë shumë substanciale shëndetin publik. E këtu kemi të bëjmë me tenderin për insulina një tender që është hapur më 2020. Është betejë për ligjshmërinë, për ruajtjen e shëndetit publik. MSh-ja shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm të OShP-së për furnizim me insulina. OShP-ja dhe prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligativ sipas Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale”.

“Ne nuk mund të pranojmë që të hyjnë barna të paregjistruara. Unë jam para dy zgjedhjeve ta bëj nënshkrimin si ka kërkuar, ku pastaj unë vet edhe në aspektin moral edhe ligjor do të jem i përndjekur se kam shkelur ligjin. Nëse e nënshkruaj do të ndiqem nëse nuk e nënshkruaj do të ndiqem”, ka thënë Vitia. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në tremujorin e parë të vitit 2023, në Klinikën e…