GJILANI SHPALL KONKURS PËR SKULPTURËN MONUMENTALE TË TRIBUNIT RAMIZ CËRNICA

10 maj 2023 | 21:35


Ismet SYLEJMANI

Më 3 Maj 2023, Z. Kushtrim Zeqiri, Drejtor në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, ka shpallur: KONKURS PËR SKULPTURËN MONUMENTALE TË TRIBUNIT RAMIZ CËRNICA!

Kanë kaluar 78 vite nga fjalimi dhe qëndrimi historik i Heroit të Kuvendit të Kosovës, Deputetit të popullit shqiptar, Tribunit të Kombit Ramiz Cernica në Prizeren!

Përfundimisht po bëhet realitet një nga ëndrrat e mia të mëdha, ta shoh të derdhur në bronz, shtatin e shqiptarit të madh, që ishte i madh e i lavdishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për qindra dhe mijëra shqiptarë të tjerë atdhedashës e patriot, simbol i madh i luftës për liri dhe bashkim kombëtar, ikonë e kombit tonë të ndarë padrejtësisht!

Komuna e Gjilanit, nën udhëheqjen e Kryetarit Alban Hyseni, ka marrë një nga vendimet e saj më të mira e më të mëdha, kur ka vendosur për ngritjen e monumentit të Tribunit të Atdheut tonë, Atij burri që nuk iu tremb syri, por i vetëm dhe si luan, ka folur me heroizëm dhe trimëri të rrallë, dhe i ka dalur në krah e në mbrojtje vendit të Atdheut të Tij dhe interesave të popullit të ndarë shqiptar!
Gjilani po bëhet i pari qytet në Kosovë që do të bëhet me shtatoren e Tribunit historik të Kombit tonë, të madhit dhe të pvdekshmit Ramiz Cernica!

Konkursi i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, në mes tjerash kërkon qartë e prerë që, “…Shtatorja si konceptim dhe si interpretim artistik duhet të jetë shprehje figurative në të cilën reflektohen qartë tiparet e Tribunit Kombëtar Ramiz Cernica…”!

Gjithashtu kërkohet dhe bëhet e qartë në konkurs, se: “… figura, simbol i atdhetarit për çlirim dhe bashkim kombëtar të popullit shqiptar duhet të jetë e vendosur me pamje ballore nga rruga…”!
Pra Tribuni i Kombit Ramiz Cernica, i shkrirë në bronz, do të jetë përgjithmonë ballë për ballë, me të gjithë ata që ia duan bashkimin dhe të mirën popullit shqiptar!

Qyteti i Gjilnit shpresojmë të mos jetë i vetmi qytet, që do ta ketë në qendër të tij, shtatoren e personalitetit historik, emblemën e bashkimit me Shqipërinë, Heroin Kombëtar Ramiz Cernica!

Prishtinë, 10 Maj 2023

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftim nga KEDS-i për punimet në rrjet 11.05.2023 Punime të…