Interi tregon forcën ndaj Milanit, afër kalimit në finale

10 maj 2023 | 22:58

Interi tregon forcën në gjysmëfinalen e parë të derbit ndaj Milanit dhe hedh një hap drejt finales në Ligën e Kampionëve.

Skuadra zikaltër fitoi pastër 2-0 në një “San Siro”, i cili ishte i mbushur më shumë nga fansat kuqezi. Fillimi i ndeshjes ishte fantastik për Interin që do të gjente dy golat, ndërkohë që Milani ishte në kaos total.

Në minutën e 8-të, pas një goditje nga këndi, Edin Dzeko me një veprim shumë të bukur në zonë ndaj Calabrias arrin ta dërgojë topin në trekëndëshin e portës së Maignan. Tre minuta më pas, Mkhitaryan përfiton nga përgjumja e mbrojtjes së Milanit duke realizuar golin e dytë përballë portierit francez, i cili sërish nuk kishte mundësi reagimi. Kuqezinjtë e kishin të vështirë për të gjetur një reagim, teksa skuadra zikaltër vijonte të ishte rrezik konstant me Dimarcon dhe Dumfries.

Mkhitaryan do të godiste shtyllën pak minuta më pas, duke trembur dhe më keq Milanin e përgjumur. Në pjesën e dytë do të vinte dhe rasti më i mirë për ekipin e Piolit, por një goditje e Tonalit në hyrje të zonës do të stampohej në shtyllë dhe më pas do të shkonte jashtë kuadratit.

Ndeshja e kthimit do të luhet një javë me pas, të martën, në të njëjtën stadium, por me Interin që vjen dukshëm më e favorizuar, ndërkohë që tifozët e Milanit shpresojnë në një rikthim të mundshëm të Leaos nga dëmtimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Istogu ka fituar pa telashe në ndeshjen e parë gjysmëfinale…