Gjuriqi takohet me serbët në Kosovë, Vuçiqi nëpërmjet telefonit kërkon mbështetje

08 gusht 2018 | 17:27

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe sekretari gjeneral i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviq, janë takuar në Mitrovicën e Veriut me anëtarë të Listës Serbe.

Serbëve të Kosovës u është premtuar se “çfarë do që të ndodhë në të ardhmen“ ata do t’i kenë “të gjitha”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar njerëzve që ishin mbledhur, në fund të takimit, me anë të telefonit të cilin Gjuriqi e ka lëshuar që ta dëgjonin të gjithë.

Me këtë rast Vuçiqi ka premtuar projekte të mëdha infrastrukturore për serbët në Kosovë, duke thënë se zgjidhja me Kosovën është larg dhe se ai do të vazhdojë të luftojë.

Vuçiqi ka kërkuar mbështetje nga serbët e Kosovës.

Ai gjithashtu ka njoftuar për ardhjen e tij në Kosovë në muajin shtator dhe se me këtë rast do të tregojë se çfarë të reja ka në mes të dialogut me Kosovën.

“Këtë vit dhe vitin e ardhshëm ne do të bëjmë projekte të mëdha të infrastrukturës në Kosovë, në jug dhe në veri të Ibrit, do të rregullojmë ujësjellësin, kanalizimet, dhe do të investojmë para më shumë se kurrë, sepse duam të tregojmë se jemi me njerëzit tanë, dhe se do të jemi me njerëzit tanë gjithmonë”, ka thënë Vuçiqi me anë të telefonit.

Ai ka theksuar se Serbia nuk do të zvogëlojë praninë e saj.

“Kopshti në Shtërpcë, dhe jo vetëm ai kopsht, tani duhet të tregoni se për çka ka nevojë më shumë Shtërpca, për sistemin e ujësjellësit në Zubin Potok dhe të gjitha të tjerat që duhet të punojmë për Leposaviçin, Zveçanin dhe Mitrovicë, Ranillugun, Parteshin e Graçanicën”, ka thënë Vuçiqi.

Më tutja, ai ka thënë se asnjë vendim nuk do të merret nga Beogradi, pa serbët e Kosovës.

Në takimin që ishte i hapur për medie, zyrtarët e Beogradit u kanë thënë serbëve të Kosovës se ata mund të kenë besim në Vuçiqin. Politikanët serbë të Kosovës, kanë thënë se populli serb në Kosovë i beson Vuçiqit.

Gjuriqi ka thënë në tubim se Vuçiqi i cili “merret ditë e natë me Kosovën” ka marrë vendim që në veri të Kosovës dhe në çdo mjedis ku ka serb në jug të Ibrit, deri në fund të këtij viti do të përfundojnë të gjitha projektet e filluara.

“Ajo që dua nga Mitrovica është t’i tregoj çdo serbi në Kosovë, se çfarë do që të ndodhë në të ardhmen, do të keni më shumë, nuk do t’ju gënjejë askush, nuk do të keni më pak para, do të keni më shumë mbështetje nga Serbia” ka thënë Gjuriqi.

Në takim, gjithashtu është thënë se serbët e Kosovës kanë nevojë për paqe dhe prosperitet dhe një të ardhme të sigurt për gjeneratat e ardhshme, por gjithashtu edhe unitet në mes të tyre.

Ndërsa kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se populli serb dhe Lista Serbe kanë besim të plotë në presidentin Aleksandër Vuçiq.

“Për këtë arsye po ju bëjmë thirrje që të vazhdoni me luftën për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për popullin serb”, ka thënë Rakiqi.

Në anën tjetër kryetari i Graçanicës, Srgjan Popoviq, ka thënë se sot më shumë se kurrë duhet që të ketë unitet në mes të serbëve.

Sekretari i përgjithshëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se sot si kurrë më parë serbët e Kosovës kanë një udhëheqës si Vuçiq të cilit duhet t’i besojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka…