Ish-ministrja Tahiri: Qeveria ka dështuar në dialogun me Serbinë

08 gusht 2018 | 17:22

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka dështuar në këtë dialog, duke mos marrë primatin e udhëheqjes së këtij procesi.

“Unë mendoj që kjo qeveri ka dështuar në dialog, fare nuk është marrë me këtë temë. Vet kryeministri ka thënë se unë nuk merrem me dialogun e Brukselit. Një kryenegociator vetëm nuk mund të bëj asgjë pa mbështetjen e Qeverisë dhe kryeministrit. Është emëruar Avni Arifi i cili asgjë nuk ka bërë, sepse ka munguar mbështetja e Qeverisë dhe kryeministrit”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë dhënë për “Telegrafin”.

Sipas Tahirit, Serbia do të vazhdojë të paraqesë skenarë të ndarjes së Kosovës. Madje sipas saj Serbia po synon që ta realizojë idenë e Serbisë se Madhe, duke e përfshirë copëtimin e territorit të Kosovës.

“Unë mendoj se nuk duhet të biem në këtë grackë, sepse Kosova i ka bërë kompromiset e mëdha në Rambuje e më pas edhe në Vjenë. Kompromisi më i madh i yni ka qenë Pakoja e Ahtisarit, e cila ia siguron pakicës serbe që i ka vetëm pesë për qind të popullsisë 10 komuna që përfshijnë një territor rreth 25 për qind të tërë territorit të shtetit”, ka deklaruar Tahiri.

Ajo ka thënë se gjatë kohës sa ka drejtuar ekipin e Kosovës në dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, temat për të cilat nuk është diskutuar në asnjë rrethanë, kanë qenë tema e statusit të Kosovës, ndryshimi i kufijve dhe mosndryshimi i rendit kushtetues.

Tahiri ka thënë se është paksa e befasuar me heshtjen e Bashkimit Evropian (BE) gjatë këtyre ditëve që po diskutohet për temën e shkëmbimit të territoreve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur shqetësimet e thella…