Hill: Po ndodh një ndryshim historik, Shqipëria dhe Serbia po punojnë bashkë si kurrë më parë

16 maj 2023 | 15:19

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë të martën se një ndryshim historik është duke ndodhur sepse sipas tij Shqipëria dhe Serbia janë duke punuar së bashku si kurrë më parë.

Hill ka theksuar se ka qenë së fundmi në Shqipëri dhe se ka dëgjuar nga një zyrtar i lartë se një nga gjërat më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë ishte hapja e kufijve përmes nismës së “Ballkanit të hapur”.

Ai ka thënë se çështja e afrimit të tregjeve ekonomike të rajonit është në shumë mënyra sfida kryesore e këtij shekulli, sepse sipas tij në fund të shekullit të kaluar kishte një distancim të shteteve të mëdha në Ballkan dhe se çështja kryesore për fillimin e këtij shekulli është përcaktimi i mënyrave se si shtetet e larguara u takuan përsëri brenda një tregu të vetëm ekonomik.

“Ne nuk duam që mosbesimi të jetë një faktor që do ta pengojë lehtësimin e tregtisë”, ka thënë Hill në konferencën rajonale për lehtësimin e marrëdhënieve tregtare të vendeve të Ballkanit, organizuar nga USAID-i, Banka Botërore dhe Qeveria e Zvicrës.

Më tutje, Hill ka thënë se sfida është se në Ballkan kanë lindur shumë kufij.

“Ata kufij nuk duhet t’i ndajnë, por t’i bashkojnë vendet. Ka përpjekje të shumta për integrimin rajonal. Dhe njëra prej tyre në Ballkan është ajo që përmendi ministri (Tomislav) Momiroviq dhe do ta përsëris sepse e mbështes fuqishëm nismën ‘Ballkani i hapur’, e cila synon t’i ftojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen dhe që pavarësisht statusit të tyre mund të punojnë së bashku dhe të punojnë për hapjen e kufijve”, ka deklaruar ambasadori Hill.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lonisa Reka ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik…