Krasniqi: Ukshin Hoti la gjurmë në historinë e vendit, nuk zmbrapsemi duke kërkuar drejtësi

16 maj 2023 | 15:39

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me rastin e 24-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, ka thënë se ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.

Krasniqi ka thënë se “nuk do të zmbrapsemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të profesor Hotit”.

“Ishte e diel, 16 maj i vitit 1999. Kosova po digjej në flakë, e mijëra të burgosur po mbaheshin padrejtësisht nëpër shumë burgje serbe, brenda dhe jashtë Kosovës. Ndër ta, edhe profesor Ukshin Hoti, i cili po vuante dënimin prej pesë vitesh në burgun e Dubravës.  Atë ditë pushimi, ditë krejt e pazakontë për lirimet nga burgu, dy roje shoqërojnë profesor Hotin nga qelia nëpër korridorin që dërgonte jashtë. Nga ai moment, Ukshin Hoti nuk është më. Asnjë fjalë. Asnjë lajm. Asnjë informatë. I munguar, sot e 24 vjet”.

“I zhdukur dhunshëm nga duart e shtetit serb, natyrisht, me paramendim.  Megjithatë, i munguar vetëm fizikisht, sepse, si veprimtar, intelektual e atdhetar, përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, profesor Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë. Prandaj, ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të profesor Hotit. Njëjtë si edhe për të gjithë 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë e të cilët figurojnë akoma të pagjetur. Sepse ata, të gjithë, janë plaga jonë e hapur. Janë dhembja jonë e përditshme”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka…