Kosova kërkon zbatim të plotë të marrëveshjes, Serbia të Asociacionit

17 maj 2023 | 11:18

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën marrëveshje për normalizim të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj. Por deri më sot asnjë veprim i zbatimit të saj në praktikë nuk është marrë dhe dialogu ka ngecur. Kosova po kërkon zbatimin e plotë të marrëveshjes, ndërkaq Serbia zbatimin e Asociacionit. Përfaqësuesit ndërkombëtarë po bëjnë thirrje që të dyja palët të ecin përpara në këtë proces

Në Bruksel është mbajtur të hënën raundi i ri i dialogut në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat megjithëse, sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash. Ky raund bisedimesh kishte fokus zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj, shkruan “Epoka e re”.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit. “Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet e tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, ka thënë Bislimi në fund të takimit.

Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

Ndërkaq kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se formimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes me Serbinë, por se marrëveshja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve nuk e përmban vetëm nenin 7. Kurti ka thënë se pala e Kosovës e ka bërë të qartë edhe në takimin e së hënës në Bruksel se është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja, e jo vetëm neni 7 i saj, në të cilin flitet për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e, po ashtu, për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes”.

“Serbia dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm dhe vetëm te neni 7. Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel. Gjithashtu, kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkret, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit i sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në nenin 7. Sa i përket nenit 7, pala serbe e ka rikonfirmuar se asaj nuk i interesojnë as Kushtetuta as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, por vetëm teksti që e ka nënshkruar ish-kryeministri Isa Mustafa”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se ende nuk kanë marrë raport nga Bashkimi Evropian mbi denoncimet e Kosovës për shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë.

“Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të menjëhershëm të marrëveshjes, pa kushte dhe pa vonesa. Pra është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10 nenet e marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm te neni 7”, ka theksuar Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se kërkesat që Asociacioni të jetë parakusht për zbatimin e neneve të tjera të marrëveshjes Kosovë – Serbi nuk e ndihmojnë procesin e dialogut. Ajo ka theksuar se interpretimet e reja të BE-së që kërkojnë nga Kosova të dalë përtej asaj që është e shkruar në letër janë të gabuara.
Përkitazi me këtë, presidentja Osmani tha se Kosovës nuk duhet t’i kërkohet të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje.

“Ne presim që BE-ja mos të kërkojë të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar, ndërkaq të kërkohet pikërisht ajo për të cilën jemi pajtuar. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë për shkeljet e Serbisë. Deri më tani nuk e kemi parë një gjë të tillë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ketë qasje jashtëzakonisht konstruktive në këtë proces.
Për takimin e 15 majit ka shkruar në “Twitter” i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak. Sipas tij, takimi i 15 majit synoi t’i “qartësonte çështjet e hapura”. “Diskutimet do të vazhdojnë”, theksoi ai.

Lajçaku para fillimit të këtij takimi në Bruksel kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë për normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova ka obligim ta hartojë draftin për Asociacionin e se një version i tij nuk është i mjaftueshëm.

I pyetur se kush do të mund ta hartonte draftin më të mirë, Rhode tha se është vetë Kosova ajo që mund ta bëjë këtë. “Është përgjigje e thjeshtë. Versioni më i mirë, drafti më i mirë për Kosovën, mund të hartohet nga vetë Kosova. Mirëpo një version nuk është një draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova së shpejti që ta shohim se çfarë ide konkrete ka për Asociacionin. Ky është obligimi i Kosovës që ta përshpejtojë procesin”, ka thënë Rhode pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Kryetarja e Parlamentit Evropian (BE), Roberta Mecola, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin çështjet e hapura.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën marrëveshjen për normalizim të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj. Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe aneksit të saj.

Qeveria e Kosovës insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në. Kryeministri Kurti kishte paraqitur një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin ka thënë se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip e ka përfunduar mandatin me paraqitjen e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit të Kosovës në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip i përbërë nga katër anëtarë serbë duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015, por marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore. /Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, e ka humbur apelin kundër një…